Arkeologji: – Tri institucione pa zgjidhje për 450 euro, pitosi antik mbetet në ara
Arkeologji: – Tri institucione pa zgjidhje për 450 euro, pitosi antik mbetet në ara
Pitosi 1 600 vjet i vjetër ka mbetur aty ku u gjet në fillim të tetorit: në arat e fshatit Bllatë të Kamenicës
Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Komuna e Kamenicës s’e kanë një zgjidhje se si të futen në punë mjetet e nevojshme për tërheqjen e pitosit antik, i cili tash e gati dy muaj ka mbetur aty ku u gjet: në arat e fshatit Bllatë të qytetit lindor. Komuna ia ka ndarë IAK-së 450 eurot e nevojshme për tërheqjen e artefaktit 1 700 vjet të vjetër, por IAK-ja thotë se s’mund t’i shfrytëzojë. Ndryshe e paraqet këtë situatë Ministria e Kulturës, e cila deri më tash s’i ka dhënë zgjidhje kësaj pune.
“Ne i kemi ndarë mjetet. Kemi kërkuar mundësi që t’ia japim IAK-ut. Ata na kanë thënë se nuk kanë si t’i pranojnë. Të them të drejtën, më duket situatë absurde”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Kamenicë, Arianit Ibrahimi.
Ka treguar se është në pritje të një zgjidhjeje. Madje kjo komunë ka shkuar edhe përtej kësaj. Ka planifikuar që për vitin që vjen të ndajë 20 mijë euro për Institutin Arkeologjik të Kosovës me qëllim që të punohet në zbardhen e trashëgimisë arkeologjike të Komunës.
“Ne e kemi bërë atë planifikim. Ende nuk ka kaluar buxheti, por tash e kemi edhe këtë problemin se si do t’i shfrytëzojnë mjetet”, ka thënë Ibrahimi. Një gjendje e tillë vazhdon qysh prej fillimit të muajit të kaluar, kur IAK-ja ishte njoftuar se gjatë punëve bujqësore banorët e fshatit Bllatë të Kamenicës kishin hasur në këtë gjetje arkeologjike.
Drejtori i IAK-së, Enver Rexha, dhe arkeologët Shafi Gashi e Premtim Alaj, kishin dalë në terren kur ishin njoftuar se në fshatin Bllatë rastësisht gjatë korrjes së misrit për silazhe të bagëtive është hasur në një pitos. Këtë e kanë shkruar në një raport, i cili një ditë më pas i është përcjellë edhe Ministrisë së Kulturës.
“Gjatë surveut ne nuk arritëm të mblidhnim në sipërfaqe materiale arkeologjike dhe kjo tregon se vendbanimi mund të jetë diku tjetër në afërsi. Shfrytëzuesi i parcelës tregon se ka hasur edhe në disa ‘qypa’ të tjerë, të cilët janë dëmtuar gjatë lëvrimit të thellë të tokës me traktor ndër vite”, shkruhet në raport. Aty jepen detaje se pitosi ka vetëm buzën e thyer. Sipas raportit, gryka e tij mund të ketë qenë 30 centimetra e gjerë.
“Ai u takon pitosëve të mëdhenj dhe duket që është i padëmtuar në përjashtim të buzës-qafës së tij. Duket se ai ka përmasë 1.3 metra me 1.2 metra. Do të thotë mund të ketë mbajtur rreth 500 kilogramë drithë, por përmasat e tij do të saktësohen pas procesit të gërmimit”, shkruhet në raport për pitosin e antikitetit të vonë, rreth 1 mijë e 700 vjet të vjetër.
“Ne shpresojmë që DTK – MKRS do t’i vërë në dispozicion mjetet e nevojshme dhe makinën e terrenit për të kryer gërmimin dhe nxjerrjen e artefaktit arkeologjik, i cili do të trajtohet për më tej. Kostoja e gërmimit (fuqia punëtore, materialet, angazhimi i një ekskavatori të vogël për ngarkim e të tjera) mund të kapë shumën 400-450 euro”, shkruhet në këtë raport pune, që mban edhe formën e kërkesës. Është protokolluar më 6 tetor.
Tri javë më vonë drejtori i IAK-së, Enver Rexha, kishte thënë se nuk kanë mundur ende të bënin zgjidhje së pari për ta nxjerrë nga toka pitosin e më pas për ta bartur atë. Sipas tij, duhet të angazhohen disa punëtorë të fshatit për një ose dy ditë.
Rexha pas ndarjes së mjeteve nga Komuna ka thënë se nuk kanë mundësi t’i shfrytëzojnë ato.
Qysh prej qershorit të vitit 2018 institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës u janë bllokuar llogaritë në bankat komerciale pasi, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ishin të paautorizuara nga Thesari.
“Komuna do të na i bartë mjetet, por nuk munden. Unë u kam thënë se nuk mund t’i qesim në llogari private. Në anën tjetër, nuk kemi mjete ta fillojmë punën. MKRS-ja na e ka dhënë një veturë deri në muajin dhjetor. Me atë veturë të vogël nuk mund t’i dërgojmë as mjetet”, ka thënë ai. Sipas Rexhës, janë në pritje të një zgjidhjeje nga Ministria e Kulturës.
Por kjo nuk është gjetja e vetme arkeologjike që nuk është tërhequr sivjet.
Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës gjendjen e shohin ndryshe.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Vjollca Aliu, ka thënë se mund të përfundohet tërheqja e pitosit edhe me buxhetin që MKRS-ja e ka të ndarë për IAK-un.
“Le ta sjellin listën me emra të ekipit dhe gjërat e nevojshme dhe e bëjmë ekzekutimin”, ka thënë ajo. Sipas Aliut, MKRS-ja mund të paguajë shpenzimet.
Drejtori i IAK-së, Enver Rexha, ka përmendur edhe faktin se ende nuk e kanë tërhequr kapakun e sarkofagut nga fshati Topliçan i Lipjanit. Ishte paralajmëruar se këtë do ta bënin qysh në verë. Ky artefakt për thuajse tri dekada nuk kishte tërhequr vëmendjen e askujt. Ishte thjesht një govatë uji për kroin në mes të fshatit në Komunën e Lipjanit. Megjithatë vaska e gurtë, sipas vlerësimeve preliminare, besohet të jetë e moçme 1 600 vjet. Në krye të herës ajo kishte shërbyer si kapak a mbulojë e një sarkofagu me mbetjet mortore të një njeriu të këtyre anëve. U evidentua në korrik të këtij viti e prej asaj kohe ishte paralajmëruar sjellja e tij në Prishtinë. Gjatë atij muaji, kur arkeologu Milot Berisha kishte marrë koordinatat e vendit dhe e kishte matur gjetjen, kishte thënë se bëhet fjalë për gjatësi prej 2 metrash e 23 centimetrash e gjerësi prej 1 metër e 16 centimetrash.
“I takon periudhës së vonë romake, shekujve III-VI, dhe është pa diskutim i Ulpianës”, kishte thënë ai prerazi. Ulpiana është një prej lokaliteteve më të rëndësishme arkeologjike të antikitetit në këto anë. Gjatë periudhës romake Ulpiana ishte një prej qendrave kryesore komunikuese midis Kostandinopojës (Stambollit të sotshëm) dhe Romës. Një pjesë e lokalitetit prej tash e gati katër vjet është park arkeologjik. Gjendet 12 kilometra në jug të Prishtinës, kurse 16 kilometra larg fshatit ku është kapaku i sarkofagut. Sipas Berishës, areali i Ulpianës është më i gjerë se që mendohet. Ka thënë se për mendimin e tij ky kapak sarkofagu duhet të zhvendoset pikërisht në Ulpianë.
Gazeta Koha.