Arkitektura popullore e qytetit të Beratit.-

Nga: Ajet Nallbani

Arkitektura popullore e qytetit të Beratit, si ajo e lidhur me formacionin feudal të shoqërisë, e cila përbën për nga madhësia e vlerat pjesën më të rëndësishme, ashtu dhe ajo e lidhur me fillimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve kapitaliste, përfshihet në kuadrin e arkitekturës popullore shqiptare. Por me gjithë tiparet themelore të përbashkëta, arkitektura popullore e qytetit të Beratit ruan veçanti të sajat, që janë më të spikatura në kuadrin e shoqërisë feudale të kohës, e cila me partikularizimin e saj karakteristike, krijonte kushte për dallime të ndijshme ndërzonale e ndërqytetare. Me fillimin e marrëdhënieve kapitaliste edhe arkitektura popullore e Beratit i ndjeu ndryshimet e rëndësishme në jetën ekonomiko- shoqërore të vendit, duke u përfshirë në procesin e përshpejtuar konvergjent, që shkonte paralel me prirjen njësuese në fushën ekonomike e kulturore, me formimin e kombit.

 
Për t`u theksuar është dhe larmia e madhe tipologjike e ndërtimeve popullore të Beratit si dhe zgjidhjet po aq të veçanta në planin urbanistik. Kjo lidhet në radhë të parë me truallin, mbi të cilin ngrihet kjo qendër e banuar, qe me dinamizmin e saj ka ndikuar qartë në zgjidhjet urbanistiko- arkitektonike. Me një program pak a shumë të njëjtë për klasa dhe për shtresa të ndryshme shoqërore, në Berat ndeshet një shumëllojshmëri e madhe zgjidhjesh kompozicionale. Edhe në planin urbanistik, megjithëse brenda kuadrit të spontanitetit karakteristik mesjetar, për të cilin ishte i huaj planifikimi, ndeshen zgjidhje që shprehin qartë një ndjenjë të zhvilluar të përvetësimit të parimeve të shëndosha urbanistike. Krijuesit e këtij qyteti, mjeshtërit e talentuar shqiptarë, në kuadrin e një bagazhi të gjerë njohurish profesionale të trashëguara brez pas brezi, nuk janë treguar përsëritës të ngurtësuar zgjidhjesh të përsëritura. Ata në çdo rast, veçanërisht në zgjidhjet urbanistike dhe arkitektonike në troje të pjerrëta, kanë treguar një ndjenjë të shëndoshë krijuese dhe prakticizëm, dukei dhënë rrugë mjaft problemeve, që kërkojnë pa dyshim pjekuri e fuqi krijuese.
Improvizimet plot fantazi, njohja e mirë e mënyrës së të jetuarit si dhe përvetësimi i teknikave të kohës, të kushtëzuara nga materialet natyrore, kanë prurë krijime plot vlera për kohën, të cilat kënaqin si kërkesat për shfrytëzimin racional ashtu edhe ato estetike.
Për trajtimin e kësaj krijimtarie do të ndalemi së pari, në shtjellimin e zhvillimit urbanistik, duke filluar që prej shekullit XIII, me fillimin e krijimit të lagjeve të banuara jashtë mureve rrethuese të fortifikimit, deri aty rreth fillimit të shekullit XX. Ndjekja e dinamikës së zhvillimit të kësaj qendre dhe karakterizimi i ansambleve kryesore të saj do të përbëjnë synimin kryesor të kësaj pjese. Më tej do të qendrohet në banesën popullore, e cila, do të trajtohet mbi bazën e klasifikimit tipologjik, pa lënë mënjanë edhe karakterizimin e mjediseve dhe të elementeve kryesore arkitektonike- konstruktive.