Arkiv: – Zgjerimi i Greqisë me 12 milje, Rama u përgjigjet kritikëve: – Nuk mund të shiten e blihen dete e territore fshehurazi
Arkiv: – Zgjerimi i Greqisë me 12 milje, Rama u përgjigjet kritikëve: Nuk mund të shiten e blihen dete e territore fshehurazi
26-12-2020
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar pasi Greqia miratoi dekretin për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon, nga pjesa veriore e ishujve deri në kepin Tainaro.
Me një shënim në “Twitter”, shefi i qeverisë shqiptare thotë se për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi kufirin detar, Shqipëria dhe Greqia janë pajtuar për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare, dhe se shtrirja e shtetit helen me 12 milje nuk cenon territorin ujor shqiptar.
“Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh”, thekson Rama.
Sipas kryeministrit Rama, Greqia po ushtron të drejtën e saj të zgjerimit me 12 milje aty ku është e mundur, duke shtuar se ky hap nuk prek aspak vendin tonë.
“E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra”, shkruan Rama.
Nga EURONEWSalbania