Arrestimi i dy të rinjve për zjarrvënie të qëllimtë, reagon ministri Balla: – Vepër e rëndë penale, ja deri në sa vite dënoheni
21 Gusht 2023
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur Policinë e Shtetit e cila ka bërë të mundur arrestimin e dy personave të cilët në mënyrë të qëllimshme i kanë vënë zjarrin një masivi pyjor në malin Partizan në Berat.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla është shprehur se zjarrvënia cilësohet vepër e rëndë penale dhe dënohet deri në 15 vite heqje lirie.
“Dje u bënë publike në mediat kombëtare pamjet e momentit kur dy persona i vendosin zjarrin në mënyrë të qëllimshme një masivi pyjor në malin Partizan. Sot Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë dy zjarrvënësit, t’i arrestojë dhe po vijon punën për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara mjedisore, pronës private dhe publike.
KUJTESË! Është vepër e rëndë penale zjarrvënia me dënime që shkojnë deri në 15 vite heqje lirie”, shkruan Balla.