![](https://i0.wp.com/www.shqiperia.com/blog/wp-content/uploads/2025/02/271739144_3207633089459972_5350802709039888754_n.jpg?fit=1300%2C779&ssl=1)
Arrestimi i Erion Veliajt/ Basha përshëndet SPAK-un: Fundi i pandëshkueshmërisë, fundi i tranzicionit në Shqipëri
10 Shkurt 2025
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK. Përmes një postimi në Facebook, Basha shkruan se Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Veliajt dhe mbështetjen e Edi Ramës, është shndërruar në një vatër korrupsioni dhe lavatriçe të parave të pista, duke shërbyer interesave të një grupi të vogël, dhe jo qytetarëve.
Mes të tjerash ai përshëndet veprimet e SPAK dhe i inkurajon institucionet e drejtësisë të veprojnë pa hezitim kundër korrupsionit që, sipas tij, dëmton familjet shqiptare.
“Nën drejtimin e Erion Veliajt dhe me mbështetjen e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një vatër korrupsioni dhe në lavatriçe të parave të pista, në shërbim të një grushti të vogël njerëzish, jo të qytetarëve.
Përshëndes vendosmërinë e SPAK për t’i shkuar deri në fund aferave korruptive dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, që shkatërron mirëqenien e familjeve shqiptare.
E teksa numri i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, që popullojnë sot bangat e të akuzuarve vetëm rritet, për çdo shqiptar është e qartë, se kryeministri ose është i paaftë për t’u përballur dhe për të ndaluar korrupsionin, që vetëm ai nuk e ka parë në këto vite pranë tij, ose është bashkëpunëtor i të korruptuarve në vjedhjen e miliarda eurove. Në të dyja rastet ai duhet të largohet. Fundi i pandëshkueshmërisë është fundi i tranzicionit në Shqipëri!”- ka shkrua Basha.