Arrestimi i Kokës, sekuestrohet incineratori i Elbasanit, në kërkim pronarët e koncesionit.

– Si i përfitonte paratë ish-ministri

Nga OraNews

14 Dhjetor 2021

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u arrestua ditën e sotme (14 dhjetor) urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos. Këto dy të fundit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

Zbardhet skema, SPAK: Ja si i përfitoi Lefter Koka 3,6 milionë mijë euro nga dy kompani, pronat nën sekuestro

Po ashtu ata i kanë dhënë ryshfet ish- Ministrit në mënyrë që ky i fundit të lejonte ndërtimin e inceneratorit.

Koka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitime të parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare.

“Gjatë hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë  dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K,” thotë SPAK duke iu referuar akuzës për korrupsion ndaj Lefter Kokës.

Arrestimi i Lefter Kokës, SPAK njoftim zyrtar: Ja për çfarë akuzohet ish-ministri i Mjedisit, i sekuestrohet pasuria

“Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij,” thuhet më tej në deklaratë.

Po ashtu SPAK njofton se ka vendosur sekuestro preventine për  Albtek Energy” sh.p.k., me seli qendrore në Elbasan, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të kësaj kompania, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Është vendosur sekuestro preventive për “Integrated Technology Services”, me seli qendrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij, si pasuri që është përdorur për kryerjen e veprave penale.

Gjithashtu është vendosur sekuestro preventive për pasurinë e Lefter Kokës, aksionet e tij në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”  me seli në Rrashbull, Durrës, që iu korespondon vlera prej 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale.