Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e pikturave të Van Goghut dhe Frans Halsit
Arrestohet i dyshuari për vjedhjen e pikturave të Van Goghut dhe Frans Halsit
Muzeu “Singer Laren”, ku vepra artistike “Kopshti pranveror” i Vincent Van Goghut ishte vjedhur, është mbyllur për publikun për shkak të shpërthimit të pandemisë në Laren, Holandë (Foto: Reuters / Piroschka Van De Wouw)
Policia holandeze ka vënë në pranga një të dyshuar për dy vjedhje të ndara të pikturave të mjeshtërve holandezë Vincent Van Gogh dhe Frans Hals nga muzetë kur këto ishin të mbyllura për shkak të pandemisë.
“Këtë mëngjes kolegët e mi kanë arrestuar një burrë 58-vjeç në Baarn dhe ne dyshojmë se ai ka vjedhur dy piktura nga Frans Hals dhe Van Gogh”, ka thënë zëdhënësja e policisë Maren Wonder në një video-deklaratë të lëshuar në Twitter. Nuk janë dhënë hollësi të tjera në lidhje me të dyshuarin.
Ajo ka shtuar se pikturat nuk janë rikthyer dhe i ka bërë thirrje publikut që të sjellë çfarëdo informacioni për vendndodhjen e veprave.
Në mars të vitit të kaluar hajdutët vodhën pikturën e Van Goghut “Lentetuin” (Kopshti pranveror), që daton nga viti 1884 dhe paraqet kopshtin e famullisë në Nuenen, e cila ndodhej në Muzeun Singer Laren në Laren pranë Amsterdamit.
Pesë muaj më vonë hajdutët hynë në një muze të vogël pranë qytetit të Utrechtit dhe morën me vete një pikturë të mjeshtrit holandez të epokës së artë, Frans Hals.
Vepra “Two Laughing Boys”, që daton nga viti 1626, ishte vlerësuar rreth 15 milionë euro nga një ekspert. Ishte vjedhur dy herë në historinë e saj katërshekullore, përfshirë edhe një në maj të vitit 2011, në po të njëjtin muze. Policia arriti të rikthente më vonë gjatë atij viti, pasi arrestoi katër burra që u përpoqën ta vidhnin veprën.
Nga KohaNet, Prishtine.