Arrstohet ish-drejtorja e Ministrisë së Mjedisit
28 Dhjetor 2022
Ish-drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë Tiranë dhe ish-drejtoresha e Ministrisë së Mjedisit, Viola Sterjo është arrestuar për mashtrim.
Dyshohet se ajo ka mashtruar pesë subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë euro deri në 90 mijë euro.
Subjektet kanë paguar lekët kundrejt projekteve që variojnë nga 1 milion deri 4 milion euro.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme”, sipas Policisë.
Gazeta Dita