Arta Vorpsi nuk njihet si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese
Zyrtare/ Gjykata Kushtetuese nuk e njeh Arta Vorpsin. –
Gjykata Kushtetuese nuk e ka njohur Arta Vorpsin si anëtare të re të këtij institucioni. Në reagimin e publikuar mesditën e sotme në faqen zyrtare, vihet theksi te fillimi i detyrës për tre anëtarët e betuar para Presidentit të Republikës.
“Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, theksohet në deklaratë.
Reagimi i plotë
Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.
Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.
Lista e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kushtet e parashikuara në Ligj, për të qenë Anëtarë të Keshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 15.11.2019, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
1. Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
2. Z. Besnik Muçi, gjyqtar;
3. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;
4. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;
5. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.