Arti në rërë si pëlhura e Penelopës
21 Janar “023
Një artist Filipinas, ka thyer rekordin Guinness për punimet e tij artistike në rërë. Nathaniel Alapide përdor plazhet e Dubait si kanavacë, duke sjellë dizajne të mëdha dhe komplekse që fshihen shpejt nga era ose dallgët.
Punimet e dhjetëra artistëve në rërë kanë lënë gjurmë në histori. Një prej tyre është edhe artisti Filipinas, Nathaniel Alapide, i cili është mbajtës i rekordeve “Guinness”.
72 kilometra bregdetare të Dubait, të zbardhur nga dielli, janë piktura e tij.
Duke përdorur vetëm një krehër kopshti, çdo mëngjes pasi kontrollon motin, erën dhe baticën 45-vjeçari sjell dizajne të mëdha dhe komplekse që fshihen shpejt nga era ose dallgët.
Vizatimi mesatar për Alapidin është rreth 20 metra katror.
“Ndonjëherë bëj një punë që merr një orë,” tha ai.
“Ose ndonjëherë punoj çdo ditë me orë të tëra për të krijuar”.
Kur ai përfshin një mesazh të shkruar, pjesët mund të jenë më shumë se 100 metra të gjata.
Arti i rërës së Alapide filloi në vitin 2014, kur ai skicoi një pemë për nder të gjyshes së tij të ndjerë në një hapësirë rëre në plazhin Umm Suqeim.
Vizatimi i bëri përshtypje menaxherit të hotelit, i cili i ofroi atij punën e tij të parë me kohë të plotë si artist i rërës në vitin 2015.
Që atëherë, ai ka dekoruar rërën e Emirateve të Bashkuara Arabe me rreth 1900 vizatime.
Në vitin 2022, Alapide vendosi një rekord të ri për imazhin më të madh të rërës në botë. Vizatimi, me përmasa më shumë se 23,000 metra katrorë u porosit nga Klubi i Aviacionit Abu Dhabi dhe tregonte sundimtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).
U deshën 30 ditë për të krijuar dhe u deshën 12,000 tonë rërë në katër ngjyra, me burim nga e gjithë shkretëtira e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Në ditën e 20-të të krijimit të veprës rekord botëror, ne kishim gati 70% të mbaruar, por më pas ndodhi ky mot”, tha ai.
“Po binte shi dhe era ishte aq e fortë sa që fshiu pothuajse të gjithë copën”.
“Mendoj se kjo është arsyeja pse më duket interesante kjo lloj pune”, vazhdoi ai.
“Sepse është kalimtare. Është si një ritual për mua tani, si namazi i sabahut. Unë punoj diçka në mëngjes dhe në mbrëmje është larë nga batica”
Ai është porositur nga marka të mëdha si “Burberry” dhe “Adidas”, dhe ka krijuar një vepër për “National Geographic” për serialin “Emiratet e Bashkuara Arabe nga lart”.
Nga Besmira Pelushaj