
Artistë e studiues: – Galeria Kombëtare e Arteve prej vitesh nuk ka blerë vepra, fatkeqësi për artin
26 Shkurt 2025
Nga Julia Vrapi
Galeria Kombëtare e Arteve në tetor të vitit 2021 mbylli dyert për vizitorët, pasi godina po i nënshtrohet rikonstruksionit dhe punimet parashikohen që të përfundojnë në tetor 2025. Artistë të ndryshëm dhe studiues të artit, pas inspektimit që bëri ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja së fundmi për punimet në GKA edhe pse e shohin pozitive rikonstruksionin dhe zgjerimin e hapësirave, sjellin në vëmendje që prej vitesh ky institucion nuk ka blerë vepra arti për të pasuruar koleksionin.
Ata shprehen se pasurimi i koleksionit të GKA-së është me shumë rëndësi, por sipas tyre nga çdo qeveri pas viteve 1990 nuk iu kushtua rëndësi. Artistët shprehen se mosblerja e veprave është dhe një fatkeqësi për artin. Skulptori i njohur Idriz Balani thotë se mosblerja e veprave të artit prej vitesh ka eliminuar emra artistësh të talentuar. “GKA është e domosdoshme jo vetëm për artistët e artit pamor dhe ndjekësit e këtij arti, por edhe për vetë historinë dhe zhvillimin sipas etapave, që ka kaluar dhe po kalon vendi jonë.
Thënë kjo, në dijeninë time për mos blerjen e veprave ka krijua një boshllëk të madh dhe ky defiçit ka eliminuar apo sfumuar emra artistësh të talentuar, të cilët kanë bërë emër në Evropë dhe më gjerë e këtu asgjë …!?”, shprehet skulptori Balani. Punimet në Galerinë Kombëtare të Arteve po vazhdojnë dhe deri më tani është kryer 40 për qind e tyre. Skulptori Idriz Balani thotë se kur të vijojë sërish aktiviteti i saj të parashikohet një fond për blerjen veprave të reja.
“Uroj që GKA të mbarojë sa më shpejt, ku të pasqyrohen vlerat e artit shqiptar e më gjerë, të krijohet mundësia e ekspozimit për artistët, si dhe të parashikohet fond për blerje të veprave të reja, ose nëpërmjet një komisioni, të përzgjidhen vepra nëpër studio punuar gjatë këtyre viteve, për të mbushur sadopak boshllëkun e krijuar”, thotë skulptori Balani.
Fondi i veprave duhet të ishte pasuruar
Mendimit të skulptorit Idriz Balani i bashkohet edhe piktori Adrian Devolli. Piktori Devolli thotë se pasurimi i koleksionit të GKA-së prej vitesh nuk ka qenë si duhet, por sipas tij përgjegjësi ka pasur dhe Ministria e Kulturës. “Mosblerja e veprave të artit nga GKA ka sjellë, që të mbetet një periudhë e errët në historinë e Shqipërisë. Në një vend normal, GKA mos blejë vepra arti për 35 vjet do të thotë është fatkeqësi.
Mund të ketë blerë pak dhe mund të ketë ndonjë dhurim veprash, por të blejë siç duhet vepra për të pasuruar koleksionin e saj nuk ka blerë. Fondi i veprave duhet të ishte pasuruar më kohë, përgjegjësi ka pasur dhe Ministria e Kulturës”, thotë piktori i njohur Adrian Devolli. Ndërsa shpreh kritika për funksionimin e GKA-së për koleksionin e veprave, piktori Devolli e sheh pozitive që institucioni më i madh i arteve pamore në vend do të ketë më shumë hapësira ekspozuese.
“Zgjerimi i hapësirave të GKA-së është gjë shumë e mirë që po bëhet tani. Pas 1990 nuk kanë pasur asnjë lloj interesi për zhvillimin e artit. Në psikologjinë e kësaj kohe kur duhet të ishte një zhvillim shumë më i madh dhe po ndodh e kundërta. Kjo është fatkeqësi për artin”, thotë piktori.
Investime në restaurim, por a do të blihen vepra arti?
Studiuesi i artit Agim Janina gjithashtu e sheh shumë pozitive sipas tij, që Galeria Kombëtare e Arteve po restaurohet dhe po zgjerohen hapësirat e saj. Por dhe sipas tij përballë këtij investimi pyetja që shtrohet është: a do të ketë blerje veprash GKA? “Ne nuk të pretendojmë që të futemi në 200 apo 500 galeritë më të mira të botës, sepse kjo varet nga veprat që kanë brenda. Ne në përgjithësi shumicën e veprave e kemi të autorëve shqiptarë. Ka dhe autorë të huaj, pretendohet për 2-3 vepra që mund të jenë me vlerë shumë të madhe, por nuk janë të vërtetuara plotësisht. U investua kaq shumë me restaurimin, por a do të ketë GKA blerje veprash për pasurimin e fondit?”, shprehet studiuesi i artit Janina.
Ashtu si dhe piktori Adrian Devolli dhe skulptori Idriz Balani edhe studiuesi Agim Janina që dhe më parë ka folur për pasurimin e koleksionit të GKA-së më vepra thotë se një institucion i rëndësishëm në artet pamore si Galeria Kombëtare nuk mund të jetë vetëm me dhurime të veprave nga autorët. “Blerja e GKA-së ka qenë shumë e vogël prej vitesh dhe kjo tregon parëndësinë që i kanë dhënë GKA-së. Shumë që nuk kanë vepra arti janë detyruar pas 1990 të dhurojnë vepra nga më të mirat që kanë. Piktori Aleksandër Filipi dhuroi 2 vepra nga më të mirat pas 1990-tës, por si Filipi janë dhe shumë autorë të tjerë që nuk kanë vepra në GKA. GKA ka blerë, por sasia e blerjes është shumë e pakët. Ministria për Kulturën dhe jo vetëm ministria, po çdo qeveri shqiptare pas 1990 sa ka dhënë fonde për GKA? E ka të pamundur të blejë vepra arti?”, thotë Janina.
Ndër të tjera studiuesi Agim Janina shpreh shqetësimin se duhet të bëhen me dije dhe se kush janë emrat në grupin këshillimor për linjën muzeale të GKA-së, që sipas tij të mbështetet mbi vlerat reale. Ndërsa hapësirat ekspozuese janë dyfishuar, arkivat trefishuar dhe hapësirat për evente dhjetëfishuar, gjatë inspektimit të punimeve në GKA ministri Gonxhja shpjegoi më herët dhe se çfarë po ndodh me restaurimet e veprave të artit, që janë pjesë e koleksionit të GKA. Sipas tij, paralel po punohet me gjithë inventarin dhe me grupin këshillimor për muzeimin, linjën muzeale dhe për gjithë planin e menaxhimit të galerisë.