Artistet pjesëmarrëse në ekspozitën “Synime” dhurojnë vepra për fondin e GKA
Artistet pjesëmarrëse në ekspozitën “Synime” dhurojnë vepra për fondin e GKA
13 PRILL 2021
Artistet pjesëmarrëse në ekspozitën “Synime”, që qëndroi e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve për disa javë dhuruan vepra për pasurimin e fondit. Lajmin e bën me dije vetë GKA që shprehet se ka nisur një proces afatgjatë për përfaqësimin e krijimtarisë së artisteve femra. “Galeria Kombëtare e Arteve dëshiron të informojë publikun artdashës rreth pasurimit të fondit me veprat e dhuruara nga artistet pjesëmarrëse në ekspozitën “Synime”. Përmes kësaj ekspozite hulumtuese Galeria Kombëtare e Arteve ka nisur një proces afatgjatë që synon rritjen e përfaqësimit të krijimtarisë së artisteve femra në fondin e saj”, thuhet në njoftim. GKA shprehet se veprat që janë dhuruar për fondin e koleksionit të saj i bashkohen veprave ekzistuese, që kanë qenë më parë. Sipas institucionit, fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve ka për synim mbledhjen dhe historizimin e krijimtarisë artistike në vite dhe epoka. “Nga ky këndvështrim, është tepër e rëndësishme që krijimtaria e artisteve shqiptare të pasqyrohet në të njëjtin nivel dhe masë me atë të kolegëve të tyre artistë, veprat e të cilëve për momentin zënë vendin kryesor në fond. Galeria Kombëtare e Arteve falënderon përzemërsisht artistet, të cilat kanë dhuruar bujarisht punët e tyre, duke dhënë një kontribut të paçmuar për fondin e GKA-së dhe historinë a artit bashkëkohor shqiptar. Këto vepra i bashkohen veprave ekzistuese të 55 artisteve femra që janë pjesë e fondit, që prej krijimit të tij”, shprehet në njoftimin për shtyp Galeria Kombëtare e Arteve (GKA). Institucioni ka publikuar edhe emrat e artisteve, që ishin pjesë e ekspozitës “Synime” dhe kanë dhuruar veprat për fondin. Ato janë Bora Baboçi, Brigita Antoni, Alketa Ramaj, Lirije Buliqi, Valbona Zherka, Majlinda Hoxha, Blerta Hoçia, Miradije Ramiqi, Alije Vokshi, Matilda Odobashi, Shelbatra Jashari, Nurhan Qehaja, Violeta Xhaferi, Greta Pllana, Donika Çina, HAVEIT, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Alketa Xhafa Mripa, Alma Bakiaj, Silva Agostini, Marina Sula, Silvi Naçi dhe Flaka Haliti.
Gazeta Sot