Artisti Gormley shpreson që statujat e tij të qëndrojnë një mijë vjet

Një nga burrat e hekurt në Crosby është vendosur sërish në vendin e vet (Foto: Antony Gormley)

Antony Gormley thotë se ai shpreson që “burrat” e tij prej hekuri në bregdetin Merseyside do të vazhdojnë të ekzistojnë të paktën edhe për një mijë vjet si “fosile industriale”, pasi ndihmoi në nxjerrjen në dritë të dhjetë sosh të gllabëruara nga balta e Detit irlandez.

Njëqind statuja prej hekuri të modeluara nga Gormley ishin instaluar më 2005 në bregdetin e Crosbyt.

Instalacioni “Another Place” ishte paraparë të zgjaste vetëm 16 muaj në Crosby, por “burrat” ishin larguar qysh herët për shkak të ankesave për siguri, përfshirë edhe raste kur rojat e detit ishin thirrur për t’i “shpëtuar” ata.

Artisti Gormley shpreson që statujat e tij të qëndrojnë një mijë vjet (3)

Për 16 vjet, vepra artistike është bërë një atraksion turistik. Por të pavëna re nga shumica, përveç atyre që kanë sy të mprehtë, dhjetë prej burrave mungojnë pasi që shtyllat e betonta të tyre janë shpërbërë ndër vite duke bërë që të fundoseshin në baltë.

Një mision shpëtimi ishte kryer më 2019, që rivendosi 51 statuja në vendin e tyre. Pastaj u shfaq pandemia, dhe operacioni ka filluar javën e kaluar, me ç’rast është angazhuar edhe vetë Gormley.

Si gjithmonë kërkues për të përsosurën, ai ngulmoi që të mbikëqyrte punimet pasi kishte vënë re se, për pezmin e tij, ekipi i vitit 2019 nuk i kishte vendosur 51 statujat tamam në këndin e duhur.

“Isha tepër i brengosur që ato të vendoseshin me fytyrë kah perëndimi, ndërmjet 247 dhe 275 shkallëve”, ka thënë Gormley në një intervistë nga shtëpia e tij në Liverpool. “Unë po ashtu doja që të gjitha ato të kishin një plan të përbashkët, që ishte 0.4 e shkallës së pjerrësisë në horizont. Kur shkova të kontrolloja punimet e 2019-s vura re se këto instruksione nuk ishin zbatuar sa duhet, kështu që bëra gjithë çka munda të isha i pranishëm”.

Sado që statujat janë menduar vetëm si vizitorë të përkohshëm, Gormley, tash 70-vjeçar, ka thënë se ato do ta tejkalojnë atë dhe se “ngadalë do të kthehen në Giacomettis”, të katandisura në skeletura nga shekuj gërryerjesh.

“I mendoj ato si fosile industriale”, ka thënë ai. “Ato janë bërë artificialisht si indicie speciesh në një moment të caktuar. Pavarësisht nëse gjeologët e pranojnë ose jo antropocenin si periudhë gjeologjike, këto janë fosile të specieve tona – … Unë mendoj se ato të jenë këtu edhe pas një mijë vjetësh apo mbase edhe më shumë”.

Shpëtimi dhe rivendosja e figurave që peshonin 650 kilogramë nuk ishte e lehtë, ka thënë Gormley. Disa prej koordinatave të GPS-it që shënonin pikat ku besohej të ishin statujat ishin të gabuara, dhe ekipit iu desh të përdorte një gjurmues metalesh për t’i gjetur ato sërish.

“Me një përzierje të gjeolokacionit dhe detektorë të fortë metalesh, ne i gjetëm të gjitha ato dhe i sollëm sërish në sipërfaqe”, ka thënë artisti. Disa thuhej se ishin rreth katër metra nën baltë, por ai beson që ishin rreth një metër. Të gjitha gaforret u hoqën me kujdes, ashtu që njerëzit të mund t’i ripozicionin në këndin e duhur e t’i peshonin në bazat e tyre të reja.

Punimet në bregun ranor e bënin operacionin goxha të zorshëm, ka shtuar ai. “Kishte plot vende dhe situata ku unë mendoja nëse do t’ia dilnim ndonjëherë për shkak se janë kaq të paqëndrueshme”.

E fundit nga këto statuja që u gjet – me numrin 49 – ishte e panjohur deri në javën e kaluar. “Ne kishim pozicionin e gabuar të GPS-it për të, kështu që gjetja e saj ishte një moment i bukur”, ka thënë Gormley.

Ai ka ngulmuar që nuk ishte e çuditshme të shihje formën e tij të ekshumuar porsi një mumie e baltosur. “Unë nuk i shoh ato si statuja të mia. Ato janë vendi ku dikur ishte një trup i caktuar dhe kushdo mund të jetë ai. Veçmas në ndajnatë, si natën e mbrëmshme, mund t’i shohësh ato në qiellin perëndimor thjesht si silueta, vrima të errëta në formë njerëzore. Dhe mendoj që ato vërtet janë pika meditimi, përsiatje, vetëm mendim për kohën, kohën tonë, lidhjen tonë me elementet, lidhjen tonë me horizontin”.

Artisti Gormley shpreson që statujat e tij të qëndrojnë një mijë vjet (3)

Gazeta Koha.Net

Përktheu Salih Mehmeti