Artisti pukjan me një nismë të veçantë, nga Lezha në Pukë në këmbë për një qëllim. –
Artisti pukjan me një nismë të veçantë, nga Lezha në Pukë në këmbë për një qëllim
Nga: Armir Mehaj.
08 Shtator, 2019
Edhe pse 62 vjeç, asgjë nuk e ka penguar artistin Gjovalin Dushaj që krejt i vetëm të ndërmarr një nismë sensibilizuese me qëllim ndihmën ndaj personave me aftësi ndryshe.
Pas një periudhe intensive stërvitore për të përballuar sfidën që i ka vendosur vetes, ai ka ndërmarrë udhëtimin në këmbë nga Lezha ku jeton prej vitesh drejt vendlindjes se tij në Pukë, duke përshkruar rreth 70 kilometër rrugë.
Pas mbërritjes, ai i ka dorëzuar të gjithë të ardhurat e mbledhura nga nisma e tij kryetarit të Shoqatës së para dhe tetra-plegjikëve pukjane, Mark Bardhoshi.
Gjovalin Dushaj, është artist me përmasat kombëtare dhe ka një kontribut të vyer në tekste këngësh, regji, komedi. Autor i disa librave, skenograf i shumë eventeve. Edhe pse i larguar nga vendlindja ai nuk e ka ndërprerë kontributin për Pukën për asnjë çast teksa gjithnjë thotë se jeton në Lezhe por kokën e mban ende andej nga ka ardhur.
(BalkanWeb)