Artistja e Qeramikes Mira Kucuku: – Krijoj atë që me pëlqen, nuk tundohet nga paratë.
Artistja e Qeramikes Mira Kucuku: – Krijoj atë që me pëlqen, nuk tundohet nga paratë.
Nga Gentian Minga | fotografia: Armand Habazaj
Artistja e qeramikës, Mira Kuçuku, “zbuloi” në vitin 1995 teknikën japoneze të raku’-së, me të cilën ka realizuar punët më të mira përgjatë një karriere dhjetëra vjeçare. Krijimet e saj pëlqehen dhe nga arkitektët, që i përdorin ato rregullisht në projektet e tyre të interier dizajnit…
Studio-galeria e saj me punime qeramike është e shume e njohur në Tiranë. S’e njihja Mirën, ndoshta për shkak të moshës sime të re, por sa herë qëllonte, dëgjoja fjalë të mira për punën e saj. Prej njëzet vitesh, ish-modelistja e Artistikes “Migjeni” ka një studio me aksesorë të veçantë dekorative dhe bashkëpunon me arkitektët më të mirë për të arreduar shtëpi.
Ishte vetëm pesë apo gjashtë vjeçe, kur në kopsht, Mira do të shquhej për talentin e veçantë. “Ngjisnim kokrra fasuleje në letër e me to krijonim forma lulesh”, kujton. “Dhe pse ishte diçka e zakonshme, unë e bëja ndryshe nga fëmijët e tjerë, ndaj që aty u kuptua se çfarë drejtimi do të merrja në jetë”. Duke qenë se dhe kur u rrit vazhdonte të kishte dorë për pikturë, prindërit e futën në Liceun Artistik, ku do merrte mësimet e para profesionale dhe do disiplinonte talentin e saj. “Isha e talentuar, por punoja pak”, kujton nga ajo kohë. “Kur shkova në shkollë të lartë gjërat ndryshuan rrënjësisht dhe nisa ta marr më me seriozitet”. Kaloi në qeramikë, jo vetëm sepse mendohej se ishte më e përshtatshme për femrat, por edhe ngaqë zgjaste më pak vite se dega e Monumentales. “S’isha në kushte të mira ekonomike, doja të dilja sa më parë në punë”, thotë. “Në repartin e Qeramikës tek Artistike “Migjeni”, kuptova se nuk kisha mësuar ndonjë gjë të madhe nga shkolla dhe se leksionet e vërteta i mora në atë punë. U profilizova në punimet dekorative, që ishin më pak monotone se sektori i aksesorëve funksionalë si pjatat, filxhanët dhe enët e kuzhinës. Kishe më shumë hapësira për t’u shprehur e për fat të mirë, punët nuk shiheshin me lupë, siç ndodhte me monumentet. Aty kalonte pa bujë edhe ndonjë punim i guximshëm, më abstrakt”. Ndonëse ishte ndër më të mirat në punën e saj, Mira paguhej pak, me ditë pune. Një nga veprat më të mira të asaj kohe që mban firmën e saj është një punim me terakotë, që gjendet ende sot e kësaj dite në Muzeun e Krujës.
“Punuam bashkë me dy kolegë piktorë një vit e gjysmë për të dhe në fund morëm vetëm 30 mijë lekë të vjetër”, qesh. Për të paktën 15 vite nuk ishte e kënaqur me jetën profesionale, derisa me ndryshimin e regjimit krijoi biznesin e vet. Gjëja e parë që bëri Mira pak pasi filloi të punonte e pavarur, ishte të mësonte teknika të reja në qeramikë. Nuk ishte vonë. Ndonëse kishte mbushur tashmë
41 vjeç, ishte e etur për të mësuar.
Në studio-galerinë te Shallvaret Mira pret e përcjell vizitorë. Ka shumë prej atyre që rikthehen, si një djalë i ri, i cili ka ardhur të tërheqë sot një peshk në qeramikë; ai merr rregullisht punime këtu, për t’i bërë dhuratë te njerëz të veçantë. Kur e merr në dorë veprën që Mira e ka bërë enkas për të, nuk e fsheh aspak adhurimin dhe kënaqësinë në portret. Por kjo është njëra anë e medaljes, sepse jo të gjithë e kuptojnë qeramikën dhe vlerën e saj. Ka nga ata që ankohen për çmimet, të tjerë nuk ia kanë fare haberin. “Më kanë ardhur njëherë në dyqan e më kanë pyetur: “Sa i shet ti këto dherat?”. Kur dëgjon përcaktime të tilla të bie pika, se ne artistët jemi të ndjeshëm”, thotë Kuçuku duke qeshur. Me dy vajza të rritura, që kanë krijuar familjet e tyre, tani artistja ka më pak shpenzime, më tepër kohë, punon me orare të kufizuara dhe e gjitha kjo i jep mundësinë t’u kushtojë rëndësi krijimeve të saj. Edhe pse ëndrrat nuk kanë të mbaruar, sërish nuk janë “agresive” si dikur për Mirën, që ka realizuar pjesën më të madhe të tyre. Falë mundësisë për të punuar “me terezi” e përvojës dhjetëra vjeçare, punët e saj kanë arritur pjekuri e janë më të bukura se kurrë. Prandaj ky është momenti i përsosur për ta njohur këtë artiste dhe për të folur rreth krijimtarisë së saj unike. Mira ka plane të bukura për të ardhmen. Një pjesë të punëve i realizon në studion ngjitur me galerinë, të tjerat në një ambient të posaçëm tek ish-reparti i Qeramikës. Por ëndrra e saj më e madhe është të ketë një shtëpi jashtë Tiranës, me një studio të madhe dhe një oborr ku të punojë në teknikën raku’, që realizohet vetëm në ajër të pastër. Vetë peizazhi do ta frymëzojë të krijojë gjëra akoma dhe më të bukura. Bën atë që i pëlqen, nuk tundohet nga paratë, kështu ka qenë gjithmonë për të. “Jam nga ata artistë që nuk i besoj asaj teorisë “këtë duan njerëzit, këtë do t’u jap”. Nuk kam bërë kurrë compromise me artin për hir të tregtisë. Kjo sigurisht ka pasur kosto”, thotë, teksa lemon dy gjysmë fytyra me prerje dhe ngjyra thuajse të përkryera. Është një nga punët e saj më të dashura, realizuar në teknikën “naked raku”.