‘Asgjësim defakto i opozitës’, – PD-LSI i nisin letër Kuvendit. Ja çfarë kërkojnë. –
‘Asgjësim defakto i opozitës’, – PD-LSI i nisin letër Kuvendit. Ja çfarë kërkojnë. –
24/12/2018. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar me një shkresë Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar, anulimin e vendimit të Kuvendit, që rrëzoi dekretin e presidentit, “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Me një letër që mban firmën e krerëve të grupeve parlamentare, Spaho dhe Vasili, akuzohet se me vendimin e marrë është shkelur hapur rregullorja e Kuvendit.
“Duke vepruar në këtë mënyrë, Kuvendi i Shqipërisë, duke shkelur Rregulloren, ka minuar bashkëjetesën normale të të gjitha grupimeve politike në Kuvend. Nëse opozitës i mohohet e drejta e saj kushtetuese për t’u njohur me çështjet që shqyrtohen e miratohen në Kuvend, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, atëherë ky veprim antikushtetues tenton të asgjësojë defacto rolin e opozitës në Parlament, që është jetik për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar”- thuhet në letër.
Më tej, krerët e grupeve parlamentare kërkojnë nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që:
Të konstatojë shkeljen e Rregullores së Kuvendit
Të kërkojë nga Kryetari i Kuvendit anulimin e vendimit të Kuvendit të datës 20 dhjetor 2018
Të kërkojë nga kryetari i Kuvendit shqyrtimin e miratimin e dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për disa ndryshime dhe shtetas në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, sipas procedurave ligjore të paracaktuara nga Rregullorja e Kuvendit.