At Shtjefën Gjeçov Kryeziu, në Luftën e Vlorës 1920 dhe një foto e rrallë.
Nje foto e rralle nga Kremtimi i fitores se Luftes se Vlores.
– Nga: Jaho Brahaj
– Në vitin 1920 Gjeçovi transferohet në Vlorën e pushtuar nga italianët. Vlora pothuajse nuk ka fare popullsi katolike latine, por në këtë qytet ruhej një kishë katolike më shumë për nevojat shpirtërore të të huajve, konsuj, tregëtar etj. Në këtë kishë ishte vendosur gjatë atyre viteve të pushtimit kapelani (prifti ushtarak) italian.
Sapo shkon Gjeçovi në Vlorë, së pari përzen kapelanin e ushtrisë pushtuese nga kisha. Gjeçovi ishte me karakter i prerë për problemet e traditës e pasurisë shpirtërore shqiptare, nuk lejonte futjen e hundëve të të huajve në problemet tona. Në Vlorën e luftës ato ditë Atë Gjeçovi u bashkua me popullsinë e qytetit e u bë një nga perkrahësit e frymëzues i rezistencës dhe luftës kundra pushtuesit. Si shkruan edhe vetë ai, në Vlorë nuk pati asnjë fanatizëm, dhe ky lëvizte nëpër qytet duke propoganduar madhështinë dhe shenjëtërinë e luftës çlirimtare. Gjeçovi shkoi me këmbë në verën e vitit 1920 edhe në fshatrat e Vlorës si bashkëluftëtar i ngazëllyer me heroizmin e luftëtarve, që luftonin kundra dhunuesve të Flamurit e të Lirisë. Për këto ditë Gjeçovi shkruan: “Filluan luftën të peshtetun në shpresë të ndihmës së Perendisë e të bashkimit vllaznuer, e paten sosë a me mbetë të gjithë në lamë të luftës, ose me shperthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve… e nuk durojnë që ti vurgnoset ftyra e asajë shqypje dhe ati flamuri, që e pati ngul dora e prarueme e të pa harruemit Plak, zotit Ismail Qemali, të cilit i qoftë lumnija, e nder kangë e valle ju kendoftë emni…”
Kontributi i Gjeçovit në Luften e Vlorës 1920, u respektua dhe u çmua nga vlonjatët. Me datën 3 shtator kur luftëtarët hynë në Vlorën e çliruar, vlonjatët e nderojnë Gjeçovin duke e vënë në krye të vendit. Ai së bashku me atdhetarin Ahmet Lepenica do lartësoi flamurin kombëtar në varrin e I. Qemalit qe ne ate vit ishte në Kaninë. Ky ishte dhe momenti kulmor i kremtimit të fitores historike. Ishin patriotët, ushtarët e lirisë, nanat vlonjate që humben djemt e burrat, ishin motrat që mbetën pa vllezër nga lufta e shenjët, që nderonin këtë burrë nga Janjeva shqiptare, duke ja lënë në dorë Flamurin Kombëtar ta lartësonte në këtë vend të shenjët për shqiptarët, si një mesazh per Plakun vlonjat.
– Këtë amanet simbolik e percjell Gjeçovi në Kaninën e lashtë, që edhe emrin në letrat shqipe në ato vite e mbante “Komnen Kanina”. Nuk e kemi tekstin e fjalës së tij në këtë rast, por pas pak ditësh shkruan: “Rroftë bashkimi!…Kënaqu e gëzohu o qytet i Vlonës, se pernjimend paske qenë fatlumë tuj ushqye ksi farë zotnish-djem në prehnin tand. Knaqu e madhnohuni o nanat e vlonjatëve se pernjimend paskeni pasë në gji e rritë djem petrita”.
Vlonjatët nuk e harrojnë Gjeçovin, i kerkojnë që të shkruante historinë e kesaj epopeje të lavdishme, por kjo nuk u realizua se Gjeçovi u nis për atu ku kerkohej e ishte më shumë i nevojshem.
– Foto pasqyron delegacionin e qytetareve vlonjat qe te kremtonin edhe ne Kanine ku ishte varri i Babait te Kombit Ismail Qemali.
– Ne foto: Shtjefen Gjecov Kryeziu, Tol Arapi, Ahmet Lepenica dhe Dom Mark Vaso ne Kanine tek Varri i Ismail Qemalit, Kanine, me 3 shtator 1920.
Nga Gazeta Shqiptare.