Atentati, historia e tokës mollë sherri 45 mijë m2 në Gjirin e Lalzit. –
Atentati, historia e tokës mollë sherri 45 mijë m2 në Gjirin e Lalzit
3 nentor 2019
Personi që shoqëronte prokurorin Ndoja ditën e atentatit dyshohet se fshihet pas një prone 45 mijë metra katrorë në Draç të fshatit Ishëm në Gjirin e Lalzit.
Kjo pronë është bërë objekt i konflikteve të vazhdueshme që kanë sjellë dhe ngjarje si ajo e rrahjes së investitorit libanez Faad Mitri në shtator të 2016-ës.
Qeveria dhe Bashkia e Durrësit që miratuan leje që biznesmeni libanez Mitri, të ndërtonte resort turistik, pretendonin se kjo tokë ishte shtetërore dhe jo private.
Por prona rezulton në emër privat. Në hipotekën e Durrësit ajo figuron në emër të një 75 vjeçari, Pal Seçuni.
Prona është e regjistruar me vendim të marsit 2016 të Gjykatës së Durrësit, nga kryegjyqtarja tashmë e dorëhequr Joana Qeleshi.
Kryetarja e dorëhequr e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi
Dhunimi i investitorit libanez Faad Mitri në shtator të 2016 solli arrestimin e disa personave.
Personat e ndaluar në atë periudhë ishin Landi Muharremi, Arben Mërkuri dhe Skënder Krahja.
Është shoqëruar dhe një biznesmen ndërtimi me inicialet N.J.
Gjatë marrjes në pyetje, tre të ndaluarit dhe biznesmeni me inicialet N.J, nuk kanë pranuar autorësinë e krimit.
Asokohe u hapën zëra se pas Meçunit që kishte në pronësi tokën fshihej Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho dhe njohur me nofkën “Rumi”.
Biznesmeni i dhunuar libanez
Sipas dëshmisë së Faad Mitrit në prokurorinë e Tiranës dy persona e kishin goditur me sende të forta, kryesisht me një shkop bejzbolli, në pjesët e poshtme të gjymtyrëve në kokë dhe në trup.
Autorët i bënë thirrje biznesmenit që të largohet nga Shqipëria.
Nuk ka kaluar një javë nga ngjarja, Faad Mitri është larguar nga Shqipëria duke u tërhequr përfundimisht nga ndërtimi në zonën e Ishmit.
Pasi Mitri është larguar autorët janë liruar dhe hetimet janë pezulluar.
n.s. / dita