“Atentati i 2008 pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike”. –
“Atentati i 2008 pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike”. –
16,dhjetor 2018
Moikom Zeqo i quan “të kobshme” dhe arsyeja kryesore që “pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike”. Pëllumb Xhufi i konsideron si “atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit”.
Bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese të realizuara me marrëveshjen PS-PD të vitit 2008, të cilat u dhanë kryetarëve të partive të drejtën për të zgjedhur deputetët.
“Shikoni se si ndryshimet kushtetuese të kobshme të vitit 2008,- që përcaktuan që kryetarët e partive kanë të Drejtën e Monarkut për të hartuar listat e deputetëve, për 10 vjet jo vetëm që kanë krijuar një negativitet dhe një përfaqësim të nivelit të ulët dhe mediokër të politikës, por në të vërtetë kanë penguar në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike, të krijimit të formacioneve të politikanëve të rinj. Në të vërtetë ky është një dhunim kushtetues, që askush nuk e di se kur do të shmanget dhe anulohet” – thotë Moikom Zeqo në një analizë për DITA, botuar në numrin e datës 12 dhjetor.
“Po aq e ngjashme ka qenë PS me PD edhe për sa i përket ndërtimit të sistemit politik. Mjafton të shohësh se si këto dy parti nuk flasin fare për nevojën e anulimit të ndryshimeve liberticide të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, të realizuara me ujdinë PD-PS të vitit 2008. Siç përvoja e këtyre viteve ka treguar tashmë, ato ndryshime ishin atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit. Nuk bëzan për zhbërjen e atyre ndryshimeve as partia që atëherë i kundërshtoi me forcë ato. Me sa duket, në gjirizet e sistemit anti-sistem të inauguruar nga ndryshimet në fjalë, edhe LSI ka gjetur strofkën e saj të ngrohtë të pushtetit” – thotë Pëllumb Xhufi në një intervistë botuar në numrin e sotëm të DITA.
Xhufi shkon edhe më tej, duke propozuar që nëse studentët pranojnë të hyjnë në bisedime me Ramën, ta shtojnë këtë pikë në kërkesat e tyre.
“Nëse studentët do duan t’i bëjnë një shërbim të paçmueshëm shoqërisë shqiptare, le të shtrojnë tek takimi me Kryeministrin edhe problemin e reformës zgjedhore e të asaj kushtetuese, për të cilin qeveria dhe akoma më shumë opozita heshtin. Kjo do të sillte hapjen e sistemit dhe mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të paraqiteshin parti të reja. Dhe për ta thënë deri në fund dëshirën time, do të doja që këto parti të reja, qofshin të majta, të qendrës apo të djathta, të ishin produkt i kësaj lëvizje të madhe studentore të vitit 2018” – thotë Xhufi.
k.a. / dita