Auron Tare: -A duhet që periudha post komuniste të veprojë me praktikat e periudhës komuniste e cila retushonte historinë përpara saj?
22 Maji 2023
Mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar më parë iu nënshtrua një procesi restaurimi.
Pak ditë më parë u bë dhe inaugurimi i mozaikut të restauruar, por restaurimi i bërë ka sjellë dhe reagime. Studiuesi Auron Tare në një reagim të tij shprehet se restaurimi konsolidoi gjendjen, por nuk ktheu pjesët që janë hequr dikur. “A duhet retushuar historia?
Heqja e yllit nga flamuri gjatë periudhës së Berishës së parë ishte pjesë e një debati midis specialistëve të trashëgimisë kulturore. Koha menjëherë pas rënies së komunizmit mund ta justifikonte disi këtë retushim historik në një prej veprave më madhore artistike të periudhës së realizmit socialist. Ndërkohë heqja fare e yllit të madh pas figurës së gruas dhe heqja e librit nga dora e punëtorit në mozaik ishte një ndërhyrje, që i hiqte një pjesë të mirë të kuptimit kësaj vepre të realizmit socialist ( përsëri në atë kohë).
Restaurimi i pritshëm me një fond të Bashkimit Europian e konsolidoi veprën nga gjendja strukturale, por nuk ktheu pjesët e hequra me pa të drejtë nga një vepër që i përket një epoke tashmë të përfunduar”, shprehet Auron Tare.
Ky restaurim u mundësua nga programi “EU4Culture”, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Por studiuesi Auron Tare shtron pyetjen, se a duhet që një vepër e financuar me fonde të BE të përfundojë me një histori të retushuar? “A duhet retushuar historia në këtë mënyrë?
A duhet që periudha post komuniste të veprojë me të njëjtin standard si praktikat e periudhës komuniste e cila retushonte historinë përpara saj? A ka rrezik që ashtu si brezi i lindur dhe rritur në komunizëm i cili e mësoi historinë të deformuar, edhe brezi post komunist të ndjekë të njëjtën mënyrë të mësuarit të historisë?
A duhet një vepër e financuar nga fonde europiane të përfaqësojë një histori të retushuar?”, shprehet Tare në Facebook. Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar u përurua në nëntor të vitit 1981. Vepra është punuar nga artistët e njohur të kohës si Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.