Auron Tare: – Shqiptarëve patriotë t’u rrojë Facebook
19 Janar 2024
Në 556-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468) u bënë shumë statuse në rrjete sociale, por studiuesi Auron Tare sjell në vëmendje dëmtimet që janë bërë me ndërtimet në Krujë. Tare shprehet se si zakonisht shqiptarët e Facebook bënë me qindra statuse për Skënderbeun, këtë figurë me përmasa europiane. Flamurët, shqiponjat me duar, bluza, etj, që sipas Tares një lloj dalldisje kombëtare.
Në reagimin e tij Tare shtron pyetjen, a e meritojmë si komb Skënderbeun? “Një trans patriotik i çuditshëm. Një lloj BB kolektiv. Nejse nuk po zgjatem. Nuk është se doja të shkruaja ndonjë gjë të pathënë për Skënderbeun, por nuk më lanë dedikimet patriotike, thirrjet didirambike dhe daullet patriotike. Mes gjithë kësaj zhurme dhe dalldije doja të bëja një pyetje për patriotët tanë.
A e meritojmë ne si komb Skënderbeun? Po më tha një mik që ka bërë një Opera për të. Patjetër më tha një tjetër mik i llogores së përbashkët të trashëgimisë. Dikur të dy ishim në Krujë, ku premtuam prishjen e godinave pa leje në kala.
Sot të dyve na vjen turp të shkelim atje përsëri se godinat janë bërë 3 katëshe”, shprehet Auron Tare në Facebook. Më tej në reagimin e tij studiuesi vijon se pasardhësit e Skënderbeut jo vetëm që nuk lanë vreshta dhe ullinj, por kalaja është rrethuar me shëmtira.
Tare shkruan se nëse Skënderbeu shikon andej nga lart, a do ishte krenar për atë që bëri për këta që bëjnë shqiponjën në Facebook, kur shikon kalanë e Krujës që e mbrojti për 25 vjet nga “turku barbar”? “Ja çfarë thonë kronikat e kohës për turkun barbar “Të zemëruar që kalanë e Krujës nuk e morën dot turqit i prenë të gjitha vreshtat dhe ullinjtë”.
Ndërkohë pasardhësit e Skënderbeut sot jo që nuk lanë më vreshta e ullinj në këmbë, por po shpartallojnë si malet përqark, duke i bërë me sukses të dukshëm çimento për eksport apo gëlqere në ato qindra furra që rrethojnë Krujën. ( po, po 10 milionë turistë na erdhën në fakt ( qesh)).
Mirë malin që e bënë çimento, por edhe kalanë e Skënderbeut e kanë rrethuar me shëmtira betoni në emër të turizmit dhe shesin xhingla që vijnë nga vendi i “turqve barbarë””, thotë Tare.
Herë pas here studiuesi Auron Tare ka reaguar mbi problemet në trashëgiminë tonë kulturore, por shprehet se shkatërrimi i Krujës është i dhimbshëm. “Në ka gjë që shqiptarëve patriot kudo që janë duhet ti vijë turp këto 30 vjet, është shkatërrimi i dhimbshëm i Krujës dhe historisë së saj Europiane. Shqiptarëve patriotë t’u rrojë Facebooku se Kruja është simboli, ku pyetja ime e mësipërme merr përgjigje. A e meritojmë Skënderbeun ne si komb?”, shprehet Tare në reagimin e tij, ndërsa ka ndarë dhe disa foto me dëmtimet në Krujë.
Nga Auron Tare