Australi, filmi shqiptar rrëmben çmimin e rëndësishëm

20/01/2020

Në periudhën 10-19 janar, në Bondi Beach, Sydney, Australi u mbajt FlickerFest, ku filmi shqiptaro-spanjoll “The News” u vlerësua si “Filmi më i mirë ndërkombëtar me metrazh të shkurtër”. “The News” (Lajmi) me regji të Lorin Terezit dhe skenar të Anila Ballës, gjithashtu producente, rrëmbeu një nga çmimet më të rëndësishme të ceremonisë. FlickerFest është një festival ndërkombëtar i filmit me metrazh të shkurtër, që mbahet çdo janar në Sydney dhe konsiderohet një festival i rëndësishëm për filmat e kësaj kategorie. FlickerFest është i akredituar nga Akademia e Oscars dhe i njohur nga BAFTA.

“The News”, i financuar nga Qendra Kinematografike e Shqipërisë, mbështetur nga Papadhimitri Production, me distributor “Mailuki Films”, tregon për një nuse të re, e ngarkuar me porosi të parëndësishme nga familja e burrit të saj. Kur burri i saj është në Greqi, ajo ngec në trupin e një gruaje të vdekur ndërsa merr ujin nga burimi.

Në një intervistë për Zëri.info, regjisori Terezi, i cili është diplomuar në Akademinë e Arteve për regji teatri dhe regji filmi dhe televizioni, tregoi se ideja për temën erdhi nga realiteti i dhunshëm mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë. “Zgjedhja e temës lindi nga një kronikë lajmesh, ku i intervistuari më shumë sesa fliste për ngjarjen, shijonte protagonizmin. Më pas me zhvillimin e skenarit lindën edhe nënshtresa të tjera, si nënshtrimi i femrës ndaj arkaizmit dhe patrialkalitetit, varfëria e emigrimi”.

Xhirimet u realizuan në fshatin Shën Gjergj dhe kasti i aktorëve përbëhet nga Lena Kryeziu Bokshi, Bilbil Kasmi, Mirjana Deti, Besnik Ferra dhe Pëllumb Dervishi.