Autoktonia e shqiptarëve të Çamërisë në dritën e të dhënave gjuhësore e historike

14 korrik  2020

Nga: Bahri Beci

Çamëria ndodhet në pjesën më jugore të Shqipërisë dhe në pjesën veriperëndimore të Greqisë së sotme duke filluar nga lumi i Shalësit në veri deri në Gjirin e Prevezës në Greqinë e sotme.

Ajoshtrihet gjatë Bregdetit Jon dhe zgjerohet në lindje deri në vargun e maleve që e ndajnë prej pellgut të Ja­ninës. Nga veriu ka kufi lumin Pavël, kurse në jug Gjirin e Prevezës. Pjesa e saj veriore me qendër Ko­nispolin bën pjesë në Shqipëri, pjesa tjetër, me vendim të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913iu dha shtetit grek.

Qendrat e ba­nuara kryesore të Çamërisë janë: Filati, Gumenica, Pa­ramithia, Margëlliçi dhe Parga që gjenden jashtë kufijve shtetërorë; 7 fshatra gjenden brenda ku­fijve të Shqipërisë, me qendër qytetin e Konispolit.

E folmja e Çamërisë ka disa tipare që e veçojnë a dallojnë nga të folmet e tjera të shqipes. Me interesë më të veçantë janë këto:

1.    1. Prania e bashkëtingëlloresl në ndërmjet dy zanoreve: golë gojë, bilë bijë, malë majë, milë mijë, val vaj, po edhe te: sosëlë sosje, dhënëlë dhënie, pjetëlë (pyetje); fëmilë, bilë, malë.

2.    2. Prania e grupeve kl, glkloft, duke klar, klumësht, klisha, zglidh, glunas gjunjëzoj;

3.    3. Prania e prapashtesës  me të cilën formohen emra foljorë: vdekëlë vdekje, dhënëlë dhënje, marrëlë marrje dhe emra femërorë nga mashkullorët: mbretëlë mbretëreshë, priftëlë priftëreshë.

4.    4. Prania e trajtave të përbëra të kohës së shkuar të foljeve pësore të formuara nga përemri vetvetor u, nga folja ndihmësekam dhe nga pjesorja e foljes që mbartë kuptimin: u ka bërë është bërë, u ka larë është larë, u kish frirë ishte fryrë, u kish bërë ishte bërë, u kish ngritur ishte ngritur etj.

Vjetërsia e këtyre tipareve dalluese të të folmes së Çamërisë

1.    1. Prania e qiellzores së vjetër l në pozicion ndërzanor në fjalë si : golë gojë, bilë bijë, malë majë, milë mijë, val vaj, sosëlë sosje, dhënëlë dhënie, pjetëlë pyetje; fëmilë fëmijë, bilë bijë, malë majë.

/l/ indoevropiane në shqipen paraqitet me dy reflekse,/l/ dhe /ll/./l/ nëshumicën e të folmeve të shqipes ka evoluar në /-j-/, si p.sh. bil’ë> bijë, gol’ë > gojë, mal’ë > majë”. L-ja ruhet si e tillë vetëm në të folmet e arbëreshëve të Greqisë, në disa të folme të arbëreshëve të Italisë dhe në çamërishte.

l-ja tek fjalët e tipit golënga goli̭ā, malë nga mali̭a, fëmilë nga lat. familia, ftujë nga lat. *vitulea,ilë ijënga lat. īlia, val nga lat. olium etj., në çamërishte, në dallim nga të gjitha të folmet e tjera të shqipes, ruan një gjendjen më të vjetër të saj.

Grupi tingullor /lj/ ka evoluar në /j/, por në disa të folme, si çamërishtja dhe arbëreshët e Greqisë e të Italisë, ka evoluar në /l/; p.sh.: gojë (çam. golë) nga goli̭ā, majë (çam. malë) nga mali̭a, fëmijë (çam. fëmilë) nga lat. familia, ftujë (çam. ftulë) nga lat. *vitulea, ijë (çam. ilë) nga lat. īlia, vaj (çam. val) nga lat. olium etj.”

Meqenëse këto shndërrime kanë përfshirë huazimet latine, në vija të përgjithshme, si kohë e zhvillimit të tyre mund të përcaktohet periudha e marrëdhënieve të shqipes me latinishten.

2.    2. Prania e grupeve të bashkëtingëlloreve kl, glnë fjalë si: kloft, duke klar, klumësht, klisha, zglidh, glunas gjunjëzoj, gluhëklumësht; klan, të klarët, gluhë, gledhglunas (e krijuar prej glu).

Të folmet e Çamërisë, disa katunde të Korçës (Dardha, Sinica, Qyteza), si edhe të folmet e ngulimeve shqiptare në Greqi, Ukrainë e pjesërisht edhe në Itali i kanë ruajtur këto grupe të pandryshuara.

          Fakti se arbëreshët e Greqisë i kanë ruajtur këto grupe dëshmon se ata i morën nga atdheu që para se të fillonte evolucioni i tyre.

3.    Prania në këtë të folme e prapashtesës  me të cilën formohen emra foljorë: vdekëlë vdekje, dënëlë, marrëlë dhe emra femërorë nga mashkullorët: mbretëlë, priftëlë.

Duke u nisur nga këto veçori albanologja e njohur ruse A. V. Desnickaja-s ka shkruar se “veçori më e dukshme që e dallon të folmen e Çamërisë prej të folmeve të tjera të zonës dialektore toske të jugut, mund të numërohet vetëm cilësia konservative – të ruajturit e palatalit të vjetër l, e gjithashtu të grupeve kl,gl, lk, lg. Kjo veçori konservative, si duket, është e lidhur me pozitën periferike të rajonit dialektor të Çamërisë”

Pra, sipas A. V. Desnickaja-s, e folmja e Çamërisë është konservative.

E vërteta është që e folmja e Çamërisë ka marrë pjesë në evoluimin e të folmeve të jugut në përgjithësi, po, në dallim prej tyre, ajo ka ruajtur disa tipare të vjetra si l-në intervokalike në fjalë si bilë bijë, malë majë, golë gojëmilë mijë, val vaj dhe grupet e bashkëtingëlloreve kl, gl në fjalë si klumësht qumësht, glisht gisht.

Është një e folme, pra, që, si asnjë e folme tjetër dialektore e  shqipes, ka ruajtur disa tipare të vjetra. Në të njëjtën kohë edhe ka evoluar në pajtim me të folmet e tjera të jugut, çka tregon se ka qenë pandërprerë pjesë përbërëse e strukturës dialektore të shqipes, po edhe e  historisë shqiptare në përgjithësi. Kjo flet, jo vetëm për vjetërinë e të folmeve të këtij rajoni dialektor,po edhe për një prani të hershme të bartësve të tij në këto territore.

Kemi të bëjmë, pra, me një argument nga fusha e dialektologjisë historike në të mirë të autoktonisë së shqiptarëve të Çamërisë. Kjo përligjet edhe nga të dhënat historike për këtë territor.

Në kohët antike, Çamëria quhej Thesproti dhe banorët e saj thesprotë. Thesprotia e lashtë ose Çamëria e sotme përfaqësonte krahinën më të begatë të Epirit, por jo tërësinë e tij.

Thesprotët ishin një nga 14 fiset epirote të përmendura në shek. IV p. e. r. nga Theopompi. Bashkë me kaonët e molosët, ata përfaqësonin fiset më të mëdha e më të fuqishme të Epirit. Historianë të antikitetit, si Tuqididi, Straboni, Polibi e të tjerë, i dallojnë thesprotët bashkë me fiset e tjera epirote si fise “barbare”, d.m.th. jo-greke.

Gërmimet arkeologjike kanë provuar se “kultura materiale, e zbuluar në Epir në periudhën parahistorike dhe historike, lidhet qartësisht me një popullsi jo‑greke” (N. G. L. Hammond). Gjetjet arkeologjike të kryera në rrethet e Sarandës e të Gjirokastrës, në tumat (kodërvarret) e Dropullit të Sipërm, në Vodhinë, Bodrishtë, Kakavi, në Mashkullorë, në kalanë e Ripësit e sidomos në qytetin e vjetër të Jermës flasin për një unitet kulturor të kësaj treve me trevat në veri të saj. Enët e baltës dhe në përgjithësi inventari arkeologjik i atyshëm, ka ngjashmëri të madhe dhe i përket të njëjtës kulturë ilire si ajo e gjetur në Vajzë të Vlorës e në Mat. Nga ana e tyre, të dhënat gjuhësore, edhe pse të kufizuara, provojnë se fiset e Epirit, të quajtura nga autorët antikë si “barbare”, i përkisnin etnosit ilir (J. E. Thunmann, F. Bopp, P. Kretschmer, E. Çabej). Kjo vlen me siguri për thesprotët, që banonin territoret e Çamërisë moderne (G. W. Leibniz, Th. Mommsen, G. von Hahn)”.

Por  ç’gjuhë flisnin banorët e Epirit historik  në lashtësi?

Disa albanologë të huaj dhe shqiptarë si Hahn-i, Kretschmer-i, Nilson-i, Çabej, Metais-i etj. kanë arritur në përfundimin që fiset “epirote” flisnin një gjuhë të ndryshme nga greqishtja, pra ishin një popullsi jo greke. Madje, disa prej tyre kanë mbrojtur tezën që ata kanë folur një gjuhë të njëjtë ose të afërt me gjuhën që flisnin në lashtësi stërgjyshërit e shqiptarëve që, sipas tyre, kanë qenë ilirët.

Kurse për disa studiues të tjerë, kryesisht grekë, epirotët ishin një fis grek ose i helenizuar, pra flisnin një dialekt grek.

Por a ishin të helenizuar apo jo banorët e lashtë të Epirit?

Duke pasur parasysh që huazimet nga greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe,  duke përfshirë këtu edhe viset më jugore të banuara nga shqiptarët, janë relativisht të pakta, mund të pohohet se Epiri, sidomos në viset e brendshme të tij, në periudhën e lashtësisë nuk ishte helenizuar.

Natyrisht, një mendim i tillë qëndron, në rast se banorët shqipfolës të periudhës së njohur historike të Epirit janë me të vërtetë pasardhës të drejtpërdrejtë të banorëve të lashtë jo grekë të asaj treve. Përndryshe, do të duhej pranuar që ata janë vendosur atje në një periudhë të mëvonshme, por, për këtë nuk ka asnjë dëshmi historike.

Por edhe sikur të pranohej pa asnjë rezervë një shtegtim i dikurshëm i stërgjyshërve të shqiptarëve nga vise më lindore të Ballkanit në trevat e tyre të sotme gjatë bregdetit të Adriatikut dhe të Jonit, një shtegtim i tillë duhet të jetë kryer shumë herët, shumë kohë para dyndjeve të legjioneve romake në Ballkan, dhe jo në kohë relativisht më të vona, siç mendojnë disa studiues si Barić, sipas të cilit një shpërngulje e tillë ka ndodhur gjatë shekujve II – III të erës sonë dhe Schramm, sipas të cilit një shpërngulje e tillë ka ndodhur aty nga fillimi i shekullit IX të erës sonë. Përkundrazi, prania e disa huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe sidomos e një numri të madh huazimesh të vjetra latine në të gjitha të folmet e shqipes, duke përfshirë edhe ato të skajit më jugor të trevave shqipfolëse, dëshmon qartë që stërgjyshërit e shqiptarëve kanë pas banuar në pjesën perëndimore të Ballkanit, të paktën, qysh mjaft shekuj para erës sonë.

Disa studiues, duke vendosur lidhje etimologjike të disa emrave vendesh, fisesh dhe personash të viseve “epirote” me fjalë greke, kanë mbrojtur tezën që në trevën në shqyrtim flitej një gjuhë e afërt me greqishten. Mirëpo kjo tezë në përgjithësi nuk i ka qëndruar kritikës. Studiuesit anglez Hammond, në veprën e tij Epirus të vitit1967pohonte: “Dëshmitë arkeologjike tregojnë se kultura greke, siç shfaqet në poçeri dhe objekte të tjera, nuk depërtoi në Epirin e brendshëm, me përjashtim të Dodonës dhe atje vetëm në një masë të kufizuar, deri në shekullin VI. Dëshmitë historike në përgjithësi dhe përshkrimi i tribuve të Epirit të brendshëm si barbarë nga Tukididi, Straboni dhe Stefan Bizantini janë në harmoni me dëshmitë arkeologjike. Prandaj nuk mund të merret seriozisht ideja që gjuha greke u përhap prej qyteteve greke në bregdet dhe zëvendësoi një gjuhë jogreke, gjatë shekullit të pestë ose të gjashtë. Iliria qendrore ishte gjeografikisht shumë më e hapur për depërtim nëpërmjet Epidamnit, Apolonisë dhe Bylisit, por gjuha greke nuk e zëvendësoi gjuhën ilire atje në shekullin IV ose më vonë”.

Por, edhe sikur të pranohej pa rezerva një “ide” e tillë, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të argumentohet që popullsia e dikurshme e trevave të të ashtuquajturit Epir, të banuara nga shqiptarët në periudhën historike, të ketë qenë greke apo e helenizuar në kohët e lashta. Një gjë e tillë do të parakuptonte që një popullsi e helenizuar apo e ndikuar fuqishëm nga kultura greke është çhelenizuar në rrymë të shekujve. Mirëpo në këtë rast lind vetiu pyetja: Ne ç’rrethana duhet të ketë ndodhur një proces i tillë, që do të parakuptonte dyndjen e një popullsie jo greke në viset e të ashtuquajturit Epir?

Raste të tilla janë të dokumentuara historikisht, kurse për një dyndje fisesh arbëreshe a shqiptare në trevat e Epirit në lashtësi dhe në mesjetën e hershme nuk ka asnjë dëshmi.

“Pra, a janë banorët e të ashtuquajturit Epir, sidomos ata që dëshmohen prej kohësh si shqipfolës, pasardhës të shpërngulurish arbëreshë gjatë shekullit XIV apo më herët a më vonë? Po të pranohej një hipotezë e tillë, kjo do të parakuptonte asimilimin e një popullsie greke a të helenizuar nga arbëreshët e shtegtuar atje. Mirëpo, po të mbahen parasysh rrethanat historike-shoqërore, atëherë del e qartë se nuk ka pasur dhe as nuk mund të kishte kushte për ndonjë asimilim të pretenduar të popullsisë “greke a të helenizuar” të të ashtuquajturit Epir nga arbëreshët a shqiptarët. Përkundrazi, faktet historike dëshmojnë një proces të kundërt. Mjafton të kemi parasysh helenizimin e shkallëshkallshëm të banorëve shqipfolës të Epirit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë e në mënyrë të veçantë helenizimin e Çamërisë pas vitit 1912 me shpërnguljen e detyruar të çamëve myslimanë për në Turqi sidomos gjatë vjetëve 1923 -1925, si edhe më vonë nënpretekstin se ata ishin turq, ose me shpërnguljen e tyre të dhunshëm në Shqipëri pas vitit 1945.

Gjithsesi, banorët shqiptarë në viset e të ashtuquajturit Epir në jug apo në veri të kufirit të sotëm shtetëror të Shqipërisë nuk mund të kenë qenë aty ardhacakë dhe të kenë asimiluar një popullsi të mëparshme greke a të helenizuar, që pa dyshim do të ishte e një niveli të ngritur kulturor dhe që për më tepër kishte edhe mbështetjen e autoriteteve qeveritare bizantine dhe më pas të qeverisë greke, si edhe të kishës ortodokse greke. Në një përfundim të tillë arrihet edhe po të kihet parasysh gjendja demografike e Epirit në periudhën e hershme të pushtimit osman, që del se kishte një përbërje etnike kryesisht shqiptare, që nuk mund të ishte rezultat i ndonjë shpërnguljeje pak a shumë të hershme.

Përbërja etnike e popullsisë së të ashtuquajturit Epir në defterët osmanë të shekullit XVI paraqitet me disa emra tipikë mbarëshqiptarë, që dëshmojnë qartë përkatësinë e tyre etnike jo greke. E kjo përbërje etnike nuk mund të jetë rezultat i shtegtimeve arbëreshe të shekullit XIV (apo më parë a më pas), që nuk mund të sillnin ndryshime të tilla rrënjësore në një trevë, ku ndikimi sidomos i kishës greke ishte shumë i madh.

Trajtat shqiptare të emrave të banorëve të Çamërisë të shënuara në defterët e Turqisë na japin mundësinë të ndriçojmë karakterin etnik të banorëve të saj. “Sipas Defterit të hollësishëm të vitit 1551 qyteti Ajdonat kishte 470 shtëpi, kurse në vitin 1583 kishte 600 shtëpi, të gjithë të krishterë.

“Duke u mbështetur në o     nomastikën, kushdo, shkruante K. Frashëri,  mund të dallojë përkatësinë e tyre etnike shqiptare.

Për t’i rënë shkurt, do të përmendim vetëm emrat e kryefamiljarëve,  që banonin në qytetin Ajdonatit gjatë periudhës 30-vjeçare 1551- 1583. Kjo për arsye se ato dëshmojnë përkatësinë etnike shqiptare jo vetëm të banorëve të Ajdonatit, por edhe të fshatrave të tjera të Çamërisë, banorët e të cilëve e rritën popullsinë e Ajdonatit. Në defterin e vitit 1583 shënohen këta banorë të rinj të Ajdonatit: Stano Mazraku nga fshati Mazarek, Thanas Kokobraha nga Katuni, Llaq Rovima nga Prodani, Nika Pali nga Dragani, Dhimo Gjoni nga Skandali, Donaj Dhimo nga Skandali, Thanas Paleohori ng Paleohori, Todër Dako nga Zeleso, Thanas Çelengir-i nga Veliani, Jan Kalimati nga Zagoria e Janinës, Stamad Memistra nga Dragani, Mosko Lesac-i Llaq Cali nga Kerasova, Deda Cali nga Kerasova, Spani Cali nga Kerasova, Nikolo Ortiko nga Uzniqi, Nikolo Derolivari nga Pradela, Gjin Kemerxhi-u dhe Kond Morin-i nga Kajca, Bedri Meksi nga Merdan, Pervane Berber-i nga Kondani, Spani Hariko nga Visoka, Jani Ortiko nga Usniqi, Gjin Steri nga Gjuri, Karavesh-i nga Mazraku, Thanas Babushçi nga Prodani, Gjin Margërit-i nga Margëlliçi, Mano Pal-i dhe Dhimo Leka nga Dragani, Ali Abdullah-u nga Prodani, Uruç Abdullah-u nga Nuteshi, Pal Leka nga Dragani”.

Pothuajse të njëjtën panoramë paraqet edhe pasqyra e lëvizjeve të popullsisë në territoret e tjera të Çamërisë.

Në këto kushte besoj duhet pranuar që të dhënat gjuhësore, po edhe historike vërtetojnë autoktoninë dhe vjetërsinë e popullsisë shqiptare në territorin e Çamërisë së sotme, po edhe të Epirit të lashtë.