Eleni Kocaqi

Autoriteti i institucioneve ka shkuar në fund, çfarë tregon “tubimi i lirë” për të kapur presidencën?

18 Prill 2022

Nga Skerdi Zaimi

Pak ditë më parë, Elena Kocaqi, një person që prezantohet si historiane dhe ushqen me iniciativë të palodhur tezën se me shqiptarët nis bota, njoftoi se sondazhet në media e cilësonin atë si kandidaturë të preferuar për president të Republikës.

Më tej, një tjetër personazh i vështirë për t’u karakterizuar si Sazan Guri, ka zënë radhën. Po përflitet edhe Petrit Vasili, ndërkohë që nga shumica përhapen thashetheme se do jetë një femër, zgjedhje tipike e kryeministrit, e brenda këtij konteksti përfliten emra nga më të çuditshmit.

Presidenti është shndërruar kështu në një pozicion ekzotik ku mund të ulet kushdo që ka një cilësi ndryshe nga e përditshmja: Kocaqi me pellazgomaninë e vet, Guri me optimizimin e paprecedentë dhe lehtësinë për të pohuar çdo gjë, Vasili si pak i LSI-së, pak i PS-së dikur, pak edhe i PD-së.

Sigurisht që kushdo që plotëson kushtet mund të hyjë në garë, por tubimi i lirë për të kapur presidencën tregon se autoriteti i institucioneve është në fund.

Përndyshe, shumëkush qoftë edhe për hir të respektit për pozicionin, apo edhe seriozitetin e angazhimit do të stepej duke mos veshur kaq lehtë mbi vete “investiturën” e unitetit të kombit. Ndodh kjo për shkak të banalizimit tërësor të  çdo marrëdhënieje, të faktit se autoriteti tashmë është zbrazur nga kredibiliteti dhe luan vetëm me forcën apo privilegjet.

Pse të mos pretendojë kushdo për president kur sheh se kush bëhet ministër?! Se me çfarë e mbush qeverinë z. Rama?! Sesa lehtë dhe pa pengesë ngrihen në pozicione politikbërjeje njerëz që as i thonë gjë publikes apo publikut, e të cilët kanë vetëm meritën e të qenit të bindur.

Nga ana tjetër popullariteti i figurave si Guri apo Kocaqi rritet edhe në kontekstin e një heshtjeje vetëdenoncuese të atyre që duhet të mos lejojnë që dija apo shkolla të përdhosen kaq shumë saqë megafonë të tillë të kenë rrugën të hapur, të paktën për një debat që do të sqaronte atë që duhet të sqarohet.

Në këtë kuptim, ngritja e figurave të tilla është e natyrshme përderisa kushdo që ka një tagër dhe njohuri ka zgjedhur të tërhiqet.

E vetmja rrugë që mbetet për të minimizuar dëmin që vjen nga kjo që po shohim është që politika ta zgjedhë nga brenda vetes presidentin e ri, të paktën sa për të ruajtur një fasadë minimale në një vend që dallon për fasada, por që nuk duhet të vetëtallet deri në këtë pikë.

Gazeta Dita