Avokati i Popullit për GJK: Kemi gati padinë, pati mungesë transparence. –
Avokati i Popullit për GJK: Kemi gati padinë, pati mungesë transparence
19 nentor 2019
Institucioni i Avokatit të Popullit, që është edhe një nga organet kryesore që mbikëqyr veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka publikuar një raport të gjatë mbi veprimtarinë e KED, ku shpjegon se ka përgatitur edhe një padi ndaj këtij institucioni.
Në raportin e Avokatit të Popullit ndaj KED, theksohet se gjatë hartimit të rregulloreve të funksionimit të KED u konstatua një përpjekje për të kufizuar kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit për të marrë pjesë në mbledhje, duke “parashikuar një kufizim të mëtejshëm të transparencës së Këshillit”.
“Zyrtare të KED-së, kufizuan kompetencat e institucionit tonë për të marrë pjesë në mbedhje e veprimtari, siç e parashikon Kushtetuta dhe ligji 115/2016, duke parashikuar një kufizim të mëtejshem të transparencës së Këshillit. Më konkretisht, KED ka miratuar një rregullore në të cilën prezanton konceptin e dhomës së këshillimit në mbledhjet e këtij organi administrativ, gjë e cila jo vetëm nuk është e parashikuar në ligj, por edhe nëse do i referoheshim teorisë të së drejtës, është një koncept i përdorur në procedurat gjyqësore dhe jo në ato administrative. Kështu, sipas pikës 41 të Vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nr.4 datë 11.03.2019, Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në raport.
Për sa i përket këtij kufizimi Avokati i Popullit thotë se një parashikim i tillë është në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta ka dhënë.
“Ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformës së drejtësi”, thuhet më tej në raport.
Raporti i publikuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit thotë se padia do të paraqitet shumë shpejt në Gjykatën Administrative të Apelit për të shfuqizuar disa prej neneve të dy prej rregulloreve të KED-së.
Një tjetër konstatim, siç thekson raporti, është “niveli jo i duhur i transparencës nga ana e kryetarit të KED-së”, duke publikuar procesverbalet e mbledhjeve apo ato audio, detyrë që në rastin aktual e ka kryetari, Ardian Dvorani.
“Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura bërë në mbledhjet e këtij organi, por edhe kërkesave me shkrim drejtuar kryetarit të KED-së, ne nuk na u vunë asnjëherë në dispozicion proces-verbalet e disa mbledhjeve (qoftë edhe në version audio, që nuk kërkon punë shtesë për zbardhjen)”, thuhet në raport.
Gjithashtu, thuhet se në këtë drejtim, është konstatuar se “vendimet e arsyetuara të kandidatëve nuk u publikuan në kohën duhur në faqen zyrtare të KED-së”.
Po kështu Raporti i Avokatit të Popullit është ndalur edhe tek ngërçi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, ku sipas AP, nuk pati asnjë shpjegim për mënyrën se si u vepruar duke dërguar përnjëherësh listat.
“Nga ana tjetër, as KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta. Kurrsesi renditja e KED nuk është detyruese, përveçse kur është rasti i përdorimit të mekanizmit zhbllokues”, vijon më pas raporti i AP.
Duke marrë parasysh këto problematika, Avokati i Popullit kërkon të bëhen disa adresime për punën e KED në vitin 2020, si:
– Përcaktim i qartë i kompetencave të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në lidhje me anëtarët, por edhe me të tretët, në funksion të ligjit për të drejtën e informimit;
– Vendosja e afateve ligjore për publikimin e procesverbaleve;
– Ndryshimi i disa prej afateve procedurale për paraqitjen e një pjese të dokumentacionit për verifikimin e pasurisë, pasi një afat i tillë i shkurtër nuk lejon pjesëmarrjen e një numri të mjaftueshëm kandidatësh;
– Parashikimi i mënyrës së ndërveprimit midis gjetjeve të ILDKPKI dhe vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
j.l./ dita