14 Shkurt 2025

Avokati Spartak Ngjela, tha përmes një interviste televizive, se deri më tani nuk është shkelur ndonjë procedurë në arrestimin e Veliajt. Më tej Ngjela thotë nuk kanë dalë provat se për çfarë akuzohet kryetari i bashkisë.

I ndalur tek paralajmërimi i Ramës për SPAK, Ngjela tha se askush nuk ta merr celularin nëse nuk ka nisur një proces penal dhe përderisa kryeministri bën deklarime të tilla ka dyshime se ndaj tij do të fillojë një i tillë.

“Nuk e di ku është shkelur ligji, ata e kanë arrestuar, brenda normave siç e di unë. Nuk kam parë ndonjë gjë që të thuhet se është shkelur ndonjë procedurë. Jo! Me atë kapacitetin e tyre e kanë kaluar dhe në gjykatë, gjykata e ka lënë arrestin në fuqi, ka vendim gjykate. Nuk shoh se ka ndonjë shkelje. E dyta të shohim provat për çfarë akuzohet, nuk kanë dalë provat se për çfarë akuzohet kryetari i bashkisë.  Ai do të jetë kryetar bashkiake derisa vendimi të marrë formën e prerë.  Rama ka tronditje. Pse e ka tronditjen? I vjen keq për kryetarin e bashkisë, apo do të ngitet trajektorja deri tek ai? Ku e dimë ne.

Kujt i thonë mos guxoni ai? Ata nuk mund ta marrin telefonin nëse nuk kanë filluar proces penal.

Atëherë ky ka dyshim se do të fillojë proces penal, si do të merret telefonin pa proces penal? Fillon procesi, e marrin atë si të pandehur dhe marrin masat administrative.”