27 Shtator 2022

Nga Dhurata Hamzai

Ekspozita e një prej piktorëve më të talentuar kosovar,  Azem Kuçana, është çelur këtë të hënë në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas drejtorit të muzeut Dorian Koçi, figurat e demonstruara nga piktori marrin një vlerë të veçantë në historinë e artit shqiptar.

“Tradita është një pjesë e rëndësishme. Është një vektor i rëndësishëm i trashëgimisë tonë kulturore që na tregon rrënjët, na tregon lidhjet tona kulturore dhe shpirtërore me botën mesdhetare, me botën evropiane”.

Kuratorja e ekspozitës Suzana Varvarica e vlerëson krijimtarinë e Kuçanës për mrekullinë e një jete marramendëse në të shkuarën e malësorëve të baladave dhe të “Eposit të kreshnikëve”:“Sepse figurativiteti i Azem Kuçanës lidhet me “Eposin”, lidhet me figura të dukshme të valleve ose të këngëve të lahutës tonë të mrekullueshme”-tha kuratorja e kësaj ekspozite, studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka.

Çelja e ekspozitës në Tiranë paralajmëron çeljen e një tjetre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Mua më vjen shumë mirë që Azem Kuçana do të shkoj me këto piktura në Nju Jork. Por ka të tjera që e kanë kaluar tashmë kufirin e shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë pjesë e kësaj ekspozite. Dhe kjo është pjesa e dytë e krijimtarisë së tij, të cilën e menduan së bashku ta ekspozonte këtu dhe më pas  të bëhej kjo pjesë e ekspozitës së madhe me 80 punime në Nju Jork”-tha kuratorja Suzana Vavarica.

Veprat e Azem Kuçanës janë një histori pasioni që e ka përjetuar në fëmijëri përgjatë rrëfimeve të gjyshes, për kreshnikët, orët dhe zanat. “Për mua është e natyrshme lidhja me motivet e Eposit”. Unë kam rreth 22 punë këtu dhe kam një cikël i cili shkon me deri 60 punë, të cilat janë me temë nga cikli i kreshnikëve, këngët e Mujit, e Halilit, zanat.”, thotë piktori Kuçana.

Ekspozita e Azem Kuçanës do të qëndrojë e çelur deri më dy tetor në sallonin e hyrjen kryesore të Muzeut Historik Kombëtar.

Shqiptarja.com