Bajram Begaj propozimi i PS-së për president. Reagon opozita: – Kandidat i përcaktuar nga mafia e pronave shtetërore! PD me ‘2 mendje’, Alibeaj: Nuk marrim pjesë! Berisha: Do të votojmë kundër
Bajram Begaj u propozua nga Partia Socialiste për postin e Kreut të Shtetit mbasditën e sotme, ndërkohë ka ardhur reagimi nga grupi i PD i cili e cilëson kandidatin e socialistëve, si zgjedhje që vjen nga mafia shtetërore. Duket se këto akuza janë vazhdim i akuzave të bëra edhe më parë nga PD në lidhje me abuzimin me pronat e ushtrisë duke i dhënë në favor të oligarkëve. Vetëm një javë më parë Partia Demokratike zhvilloi edhe një interpelancë me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi në Kuvend. Interpelanca kishte të bënte me dhënien me qira dhe koncesion të pronave të bazave të ushtrisë. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Ferdindand Xhaferrajt qeveria shqiptare po jep bazat ushtarake detare dhe ajrore për projekte turistike, akuza këto që u rrëzuan nga ana e ministrit.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj konfirmon edhe se PD nuk do të marrë pjesë në votimin që do të zhvillohet nesër në Kuvend.
“Asnjë surprizë nga procesi personal i Edi Ramë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai nxorri sot nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kishte paralajmëruar se Edi Rama i ka farsë përbetimet për President konsensual dhe gjithëpërfshirës. Moslegjitimi i kësaj farse të paralajmëruar nga ana jonë, qoftë edhe me votë kundër, është detyrë e çdo deputeti të Opozitës.
Pjesemarrja në votim nënkupton që ti japësh fytyrën e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës, ndërkohë që ai po ndërmerr një akt tjetër personal për të asgjesuar një tjetër institucion kushtetues të pavarur. PD nuk mund të jetë në seancë si fasadë për të legjitimuar kapjen e institucionit të Presidentit, as dëshmitare e atij procesi, sa kohë rezultati i votimit dihet. PD nuk mund të votojë një President që del nga xhepi i Edi Ramës, jashtë një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent”, shkruan Alibeaj.
Të pranishëm në fakt do të jenë deputetët e ‘Rithemelimit’. Ish-kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë në seancën e ditës së nesërme në Kuvend. Berisha tha sot gjatë konferencës për shtyp se vota e tij do të jetë kundër çdo kandidature të socialistëve.
Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh sot në orën 17:00 për të diskutuar për emrat e kandidatëve për president që PS i kishte bërë më parë me anë të një procedure ku çdo deputet mund të propozonte 3 kandidatë. Pas diskutimeve në mbledhjen e Kryesisë duket që emri i Gjeneralmajor Bajram Begaj ka qenë emri që ka marrë konsensusin e gjithë anëtarëve