“Ballkani i Hapur” merr fund në vjeshtë. – Hyn në lojë projekti i madh gjerman.- Mesazhi i koduar i kancelarit Scholz për treshen Rama-Vuçiç-Kovaçevski
31 Gusht 2022
Këtë vjeshtë, Gjermania pritet të nxjerrë jashtë loje nismën e përbashkët midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut e quajtur “Ballkani i Hapur” duke i dhënë një goditje direkte kryeministrit shqiptar Edi Rama, president serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski. Sinjalet i dha lëvizja e fundit kancelarit Scholz, i cili kërkoi integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por edhe zgjidhjen përfundimtare të njohjes së Kosovës nga Serbia. Këto zhvillime pritet të ndodhin në kuadër të aktivizimit të procesit të Berlinit, të cilën e njoftoi vetë ambasada gjermane në Prishtinë. “Këtë vjeshtë, si pjesë e procesit të Berlinit, kancelari Scholz do të ftojë të Vuçiçin dhe Kurtin, me qëllim lehtësimin e mëtejshëm të dialogut”, njoftoi Berlini.
Gjermania pritet të “shuajë” projektin e “Ballkanit të Hapur”
Edhe pse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në Serbi në datën 1 shtator, për Ballkanin e Hapur, në një kohë kur Kosova vendos reciprocitetin me Beogradin zyrtar, si edhe është paralajmëruar plani i solidaritetit dhe bashkëpunimit në momentet e krizës energjetike, përgatitjet për sezonin e ardhshëm dimëror, zbatimi i projekteve të përbashkëta në ndërtimin e infrastrukturës energjetike dhe forcimi i sigurisë energjetike rajonale si detyra kyçe për të gjitha vendet anëtare të nismës “Ballkani i Hapur”, ditët janë të numëruara për këtë nismë. Berlini i jep përparësi procesit të integrimit në Bashkimin Europian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet nismës Procesi i Berlinit. Nga kancelari Scholz është paralajmëruar dhe një samit për Ballkanin që do të mbahet së shpejti, ku do të mund të arrihet marrëveshje për hapat e mëtejmë në integrimin evropian të Ballkanit dhe nxitje për procesin e Berlinit, i cili hedh poshtë Ballkanin e Hapur.
Rëndësia e Procesit të Berlinit
Çfarë rëndësie ka projekti gjerman për rajonin? Së pari, ky projekt tregon angazhimin e BE ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tyre. Procesi i Berlinit, ndryshe nga Ballkani i Hapur është ideja e një tregu të përbashkët të vendeve të rajonit, e cila merr kuptim vetëm nën kornizën e Bashkimit Evropian. Si qëllim final jo vetëm i Procesit të Berlinit, por edhe i politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, është integrimi i plotë i vendeve të rajonit tonë në strukturat e BE. Integrimi i plotë do të thotë integrim politik dhe ekonomik. Tregu i përbashkët i vendeve të rajonit do të jetë i përbashkët vetëm në kuptimin evropian të fjalës, pra kur i gjithë rajoni të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ku risjellim në vëmendje dhe deklaratën nga Shtetet e Bashkuara, të cilët thanë qartë se nuk mund të ketë Ballkan të Hapur nëse nuk janë bashkë të gjitha vendet e rajonit.
Hapja e negociatave rrëzon “Ballkanin e Hapur”
Me çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian bie automatikisht poshtë nisma e “Ballkanit të Hapur”. Gjermania do të nxjerrë jashtë loje në nëntor nismën e përbashkët midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut e quajtur “Ballkani i Hapur” duke i dhënë një goditje direkte kryeministrit shqiptar Edi Rama, president serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski. Pra negociatat do të sjellin një rrëzim të paralajmëruar shpesh nga gazeta “SOT”, pasi nisma nuk plotëson kushtet që Bashkimi Evropian apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që projekti të funksionojë, duhet të jetë ekonomik, por më e rëndësishmja është që të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit. Goditja përfundimtare vjen nga negociatat, pasi për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra.
Gazeta Sot