Balluku në vend të Veliaj? – Rama projekton zëvendëskryeministren për postin e kryebashkiakes së Tiranës
10 Shtator 2022
“Do harxhojmë gjysmën e kohës të sqarojmë cinikët, të ligët, skeptikët, dyshuesit, penguesit, stërkëmbëshat, pabesinë, thikat pas shpine.”
Në fakt këtë qëndrim Kryebashkiaku i Tiranës e ka dhënë teksa po përfitonte të merrte pikë nga marrja e titullit kampione e Evropës prej Luiza Gegës.
Por kjo deklaratë e vendosur në kontekstin e e afrimit të zgjedhjeve vendore dhe ambiciet e shtuara në Partinë Socialiste tregojnë për një klimë të nxehtë në mazhorancën e majtë.
Një nga lëvizjet politike më të përfolura të Edi Ramës është zëvendësimi i Erion Veliaj nga Belinda Balluku për të kandiduar për drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit.
Forcimi i pozitave të Ballukut në sytë e Edi Ramës u vu re edhe me marrjen e postit të zëvendëskryeministres, si dhe me drejtimin e strategjisë së re të qeverisë, bllokimin e pallateve të cilët kanë bërë shtesa pa leje.
E pikërisht pasi deklaroi se do të hetohen të gjitha institucionet që lejuan ndërtimet në shkelje të ligjit, aksionin Balluku e ka nisur pikërisht nga Tirana, me një objekt që ishte 7 kate mbi toke dhe 2 nën tokë.
Ajo që u vu re në këtë operacion publik të qeverisë ishte fakti se mungonte kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka përgjegjësine për administrimin e Tiranës.
Veliaj deri tani ka heshtur, duke mos reaguar ndaj denoncimeve flagrante nga anëtarët e kabinetit të shefit të tij, duke patur një tjetër qëndrim nga denoncimet e bëra nga mediat për të cilat Kryebashkiaku i cilësonte si gjoba mediatike.
Në këto dalje publike prezent ka qenë edhe drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupaj sëbashku me drejtuesen e re të IKMT, Dallëndyshe Bici.
Vetë Rama kur bëri publike nismën nuk nguroi të shprehej se një pallat është pikërisht përballë Bashkisë së Tiranës, aty ku Veliaj mund ta shikojë prej zyrave të tij.
Pas Ballukut në Tiranë ka dalë ministri tjetër i Ramës, Blendi Çuçi, ndërkohë nga Erion Veliaj asnjë lajm, pasi këto veprime të qeverisë nuk ndikojnë aspak pozitivisht tek kryebashkiaku që ka mbyllur sytë përpara ngritjes së objekteve përtej lejes së akorduar.
A po e dëmton Edi Rama imazhin e Kryebashkiakut në sytë e biznesit apo ky është një sinjal që Erion Veliajt i ka ardhur ora për t’u larguar nga Tirana?
Nga OraNews