Banesa 300- vjeçare e Zekatëve, Gjirokaster. – Album –
Shtëpitë e larta të fortifikuara të tipit kullë u përkisnin pronarëve të pasur, si zyrtarëve të administratës ose tregtarëve. Ato kanë të gjitha një kompozim bazë: një kat të poshtëm ndërtuar detyrimisht prej guri për arsye sigurie, dhe në katet më të larta janë vendosur dhomat kryesore për familjen, zakonisht me shumë kurorë. Nëpër mure ka frëngji për të mundësuar mbrojtjen nga armiqtë. Shtëpia e Zekateve është një shembull i mrekullueshëm i kullës tipike. Ndërtuar më 1811-1812 me dy kulla binjake dhe një harkatë të madhe të dyfishtë. Prej këtu pamjet nga lart e qytetit dhe të luginës së lumit Drino janë spektakolare.
Shtëpia ka tre kate, ku i poshtmi përmban dhomat e magazinimit, një kuzhinë të lartë dhe sterat e ujit, si dhe shkallët që gjarpërojnë lart për në katet e tjera. Kati i dytë ka dhomat kryesore, që shërbenin për degë të ndryshme të familjes, ndërsa kati sipërm ka një dhomë të madhe pritjeje dhe dy dhoma të tjera. Dhoma kryesore është tipike për shtëpitë më madhështore të Gjirokastrës me mure me afreske, tavan druri të gdhendur dhe oxhak të zbukuruar. Ky kat i fundit ishte i destinuar për t’u përdorur nga e gjithë familja. Në qendër të katit, pranë shkallëve është një ballkon druri që mbizotëron mbi qytet. Një pjesë e tij është më e ngritur e rezervuar për kreun e familjes, ku ai qëndronte dhe gostiste miqtë dhe shikonte se ç’ndodhte në qytetin poshtë këmbëve.
82- vjeçari Ruzhdi Zeko na shoqëron në avllinë e gurtë të shtëpisë së Zekatëve në qytetin e Gjirokastrës. Shtëpia e cila ndodhet në lagjen Palorto është një prej ndërtimeve tipike të arkitekturës tradicionale të qytetit të gurtë. “Të parët e mi kanë qenë pjesë administratës së Ali Pashë Tepelenës dhe kuptohet që ai i ka ndihmuar për të të ndërtuar shtëpinë e gurtë”, na rrëfen Ruzhdiu historinë e ndërtimit të shtëpisë. Pjesë e saj janë mure, harqe dhe dyer hijerënda të punuara në gur apo dru të gdhendur. Megjithëse në një moshë të thyer Ruzhdiu mirëpret vizitorët e ndryshëm në banesën e gurtë, duke përfshirë edhe turistët e huaj. “Të gjithë janë kuriozë për mënyrën e ndërtimit të shtëpisë dhe historinë e saj. Unë asnjëherë nuk lodhen për t’iu treguar vizitorëve apo turistëve historinë e familjes sime dhe të vetë shtëpisë”, thotë pasardhësi i familjes Zeko.
Gjatë këtyre viteve ai e ka mirëmbajtur shtëpinë ndërkohë që në të janë bërë edhe disa ndërhyrje restauruese kryesisht në muret e gurta dhe çatinë karakteristike. Krahas monumentalitetit të banesës tërheqëse për vizitorët janë edhe punimet artistike në mjediset e brendshme shtëpisë të realizuara në dru si edhe pikturat murale.
“Unë iu shpegoj turistëve gjithçka për musllukun e ujit, bodrumet e gurta të zahiresë, odanë e madhe të miqve, katër portat hyrëse si dhe dy avllitë e gurta. Ata gjithmonë më bëjnë shumë pyetje pasi janë kuriozë për shtëpinë”, na thotë Ruzhdiu në lidhje me interesimin e vizitorëve të këtyre ditëve pranvere. Mark Krouf dhe Milena Rajan janë dy turistë nga Austria të cilët porsa kanë përfunduar vizitën në banesën e Zekatëve. Në hyrje të shtëpisë ata nxitojnë për të fiksuar me aparatin fotografik imazhe nga harqet dhe fasada e gurtë e shtëpisë. “Dua të them se është me të vërtetë një mrekulli e ndërtuar në gur. Një banesë mjaft e veçantë për nga stili arkitektonik, ende tërheqëse edhe në ditët e sotme. E kishim parë këtë shtëpi në guidat e ndryshme turistike dhe porsa mbërritëm në Gjirokastër nxituam që ta vizitonim të parën”, thotë Marku. Për Milenën, është emocionuese që të vizitosh nga afër këtë shtëpi-kështjellë. “Zekatët është më të vertetë një banesë mbreslënëse aq më tepër tani që e pashë nga afër. Gjithë elementët tradicionalë të shtëpisë janë vendosur aty ku duhet”, thotë vizitorja nga Austria. “Në bashkëpunim edhe me pronarët e kësaj banese ne synojmë që shtëpinë e gurtë të Zekatëve ta kthejmë në një pikë prezantimi për vlerat historike, trashëgiminë kulturore, etnografinë etj. të qytetit të Gjiirokastrës”, thotë Albert Kasi, drejtor i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Profili turistik i shtëpisë
Banesa karakteristike e Zekatëve është një nga përfaqësueset më tipike të banesës tradicionale gjirokastrite. Sipas studiuesve ndërtimi i saj duhet t’i përkasë rreth 300 viteve më parë ndërkohë që si datim zyrtar i shtëpisë njihet viti 1812. Aktualisht shtëpia e gurtë e Zekatëve vazhdon të ngelet ndër pikat më të kërkuara për grupet e vizitorëve vendas dhe të huaj që e përfshijnë Gjirokastrën e gurtë në guidat e udhëtimeve të tyre në Jug të Shqipërisë. Ndërkohë ditët e fundit është hedhur në qarkullim edhe një guidë turistike e ilustruar me fotografi të ndryshme nga mjediset e kësaj banese karakteristike si dhe suvenire në të cilët është stampuar imazhi i saj. Gjithashtu shtëpia e gurtë e Zekatëve vazhdon të prezantohet edhe në faqe të ndryshme interneti duke rritur interesimin e vizitorëve për vlerat e saj.