Banesa e Odise Kasnecit, Vuno. –
Banesa e Odise Kasnecit, Vuno. –
Nga: DRKK Vlore
Statusi i objektit: Banesa e Odise Kasnecit është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim Nr. 2854, datë, 08. 08. 1980/Nr.814, date 25. 10. 1980.
Viti/koha e ndërtimit: Shek. XVIII-XIX.
Vendndodhja: Fshati Vuno, Bashkia Himarë.
Përshkrimi: Banesa i përket një nga familjeve më të njohura jo vetëm të fshatit Vuno, por të gjithë zonës së Bregut dhe mban emrin e Odise Kasnecit, aktivistit të njohur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndërtesa është një kompleks banimi e ndërtuar në tre faza të ndryshme, duke arritur në një kontur të mbyllur, që formohet pjesërisht nga ndërtimet dhe pjesërisht nga muret rrethuese. Ndërtimi I është i thyer në plan dhe njërin krah e ka të kompozuar me gjysmëkat. Ndërtimi II është një banesë tipike me kat. Kati përdhesë ka dy çifte qemeresh përkrahë njëri tjetrit. Së bashku me ndërtimin II, është ngritur edhe një sterë përbri. Ndërtimi III, normal me atë II, është i shkallëzuar në lartësi, për shkak të truallit të pjerrët. Ndërtesa shquhet për qoshet dhe kornizat e dritareve të punuar me gurë të latuar, si dhe harqet e përdorura gjerësisht në qemeret dhe hyrjet e banesës.
Në këtë banesë ka ndenjur për disa ditë peizazhisti i njohur anglez Edward Lear, në vitin 1848 i shoqëruar përgjatë udhëtimit të tij nga Anastas Kasneci, një ndër pjestarët e familjes. Në kujtimet e tij ai ka lënë një përshkrim të detajuar të ambienteve të brendëshme të kësaj banese:”Mure të veshura me dru e mansandra dhe rrethuar me mindere… Pjesa qendrore e tavanit e zbukuruar plot shie me veshë rrushi të thatë, varur me ca motive të rregullta… Dritaret ishin shumë të vogla dhe kishte një varg frëngjishë në mure”.
Vetë arkitektura e banesës tregon për fuqinë ekonomike dhe rëndësin e familjes Kasneci, pinjollët e së cilës përmenden shpesh në burimet historike të mesjetës në lëvizjen antiosmane, por dhe si personalitete të rëndësishme të krahinës në mardhëniet me fuqitë perëndimore të kohës. Një ndër personalitetet më të shquar të kësaj familje ka qenë Kapiten Kostandin Kasneci, një ndër drejtuesit e krahinës së Himarës. Për influencën që kishte në zonë dhe aftësit e tij, Konstandin Kasneci u propozua nga Kapiteni Austriak Dedoviç të shpallej Konsull i Perandorit të Austrisë Jozefit II, në vitin 1787. Në vitin1793, për llogari të Mbretërisë së Napolit në luftë kundër francezëve ngriti një trupë ushtarake me luftëtar nga zona e Himarës, të quajtur “Battaglione di Cacciatori Albanesi”. Ky batalion në vitin 1793, u angazhua në luftën kundër francezëve në rrethinat e Romës, në Terracinë, Civita Castellana, San Giovanni in Laterano e në marrjen e Caiazzos, ku garnizoni francez i atyshëm u kap në befasi nga 70 shqiptarët e komanduar nga Kasneci. Sipas kronistëve të kohës, për aftësit e treguara në luftë batalioni i shqiptarëve nga Himara u pritën si heronj në Napoli. Odise Kasneci, emrin e të cilit mban edhe banesa ka qenë anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, mik i ngushtë i kryetarit të saj Abdyl Frashërit, aktivist për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në zonën e Himarës dhe luftoi për mbrojtjen e kalasë së Lëkurësit nga trupat greke. Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike ai u vra nga element grekomanë të drejtuar nga Milo Spiromilo në një pritë, në grykën e Vishës midis Himarës dhe Vunoit në 20 korrik të vitit 1908. Për t’u hakmarrë për vdekjen e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët Lefter Kasneci dhe Zaho Koka egzekutuan Milo Spiromilon, varri i të cilit gjendet sot në oborrin e kishës së Gjithëshenjtorëve në Himarë.
Banesa së shpejti do t’i nënshtrohet restaurimit si pjesë e projektit tërësor të restaurimit të Qendrës Historike të Vunoit.