Banorët e Bërxullës në protestë: – Shteti do të na i vjedhë pronat për t’i bërë vila të dashurave të politikanëve
12 Shkurt 2023
Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar projektin Thumanë-Kashar duke kërkuar që mos u prishen banesat e tyre ose ata të dëmshpërblehen sipas tregut.
Në një deklaratë për mediat, një banor tha se shteti po u shkatërron banesat dhe se ata do të jenë në protestë çdo të dielë.
Sakaq ata theksojnë se nuk do të tërhiqen, pasi pronat e tyre nuk janë të vjedhura dhe se durimi të tyre po i vjen fundi.
“Na bëri armik kreu i qeverisë edhe me Amerikën. Ne presim, por durimi do të soset dhe ne nuk do të presim. Njeriu njëherë lind dhe njëherë vdes. Prona është e shenjtë”, tha një banor i zonës.
“Po protestojmë mbi 4 muaj e gjysmë. Ne si çdo të dielë jemi në protestë, por sot solidarizohemi me popullin turk dhe sirian. Çfarë ka ikur nuk kthehet më. Dyert tona janë të hapura. Ndaj ndajmë dhimbjen dhe i bashkohemi këtij populli që vuan. Por ajo dhimbje ishte nga fatkeqësia natyrore. Këtu në Shqipëri fatkeqësitë natyrore po i shkaktojnë politikanët. I bëjmë thirrje që mos shkaktojnë fatkeqësi. Ne nuk tërhiqemi sepse pronat nuk i kemi të vjedhura siç i keni ju. Boll keni vjedhur. Nuk jeni të ngopur me këto fshatrat turistik? Jo të vidhni pronën e fshatit Bërxullë për të bërë vila për shoqet dhe të dashurat e politikanë, siç po dalin një nga një”, tha banori tjetër.
Gazeta Shqiptare