Bardhi publikon videon: Investigim i ”RAI3” për lidhjet e Olsi Ramës me trafikun e drogës
22 Prill 2024
Nënkryetari i PD-së, Gazmend Bardhi ka publikuar një video në rrjetet sociale të një investigimi sipas tij të televizionit italian ”RAI3” për lidhjet e Olsi Ramës me trafikun e drogës duke iu referuar dosjes ”Xibraka”.
Postimi i Bardhit:
Investigimi i programit televiziv shtetëror Italian “Rai 3”, për lidhjet e forta të krimit të organizuar me qeverisjen e Edi Ramës, është dëshmi e vërtetësisë së shqetësimit të opozitës në këto 11 vjet.
Shembulli më domethënës i kësaj lidhje është ndërtimi për herë të parë në Shqipëri i Laboratorit më të madh në Ballkan të përpunimit të kokainës në Xibrakë.
Policia dhe Prokuroria në atë rast kanë dështuar me dashje hetimin e plotë të rastit!
Dokumentet e konfirmuara dje nga investigimi i “Rai 3”, pohojnë hijen e dyshimit mbi rolin e Olsi Ramës në trafikun ndërkombëtar të kokainës që planifikohej të realizohej përmes Laboratorit të Xibrakës.
Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë gjykuar tashmë pjesërisht dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë.
Roli i personave të paidentifikuara me dashje nga Policia dhe Prokuroria ka mbetur ende i pazbardhur. Është e domosdoshme që pa asnjë vonesë SPAK të rihapë procedimin penal 335/1-2016, të cilin Edi Rama do të dëshironte ta varroste përgjithmonë.
Kjo është arsyeja pse ai bëri gjithcka për të izoluar lajmin mbi denoncimin dhe mohoi çdo kontroll të Parlamentit mbi këtë çështje, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Por ndërsa në Shqipëri ia arriti përmes personit ndaj medias dhe propagandës ta izolonte, me shpresën se SPAK nuk do të veprojë, dokumentet e publikuara dje nga programi më i rëndësishëm investigativ “Report”, në një nga mediat me serioze shtetërore italiane “Rai 3”, pohuan edhe më fuqishëm vërtetësinë e denoncimit të bërë nga ana jonë.
Investigimi i djeshëm i medias italiane rikonfirmon se e vërteta as nuk fshihet, as nuk mund të izolohet.
Koha kur anëtarët e mafias shqiptare apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve, dhe kushtëzojnë veprimet e qeverisë, duhet të marrë fund.
Shqipëria nuk ka të ardhme tjetër përveç rrugës europiane, me luftë reale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pa devijime, dhe pa mbyllur sytë ndaj njerëzve të veshur me pushtet nga Edi Rama