“Basha bojkotoi zgjedhjet e 13 tetorit”, Bardhi: – E pamundur të regjistroheshim, KQZ refuzoi të hapte procedurën”. Vasili: Mashtrove! Mbledhja u thirr, PD nuk shkoi

23 Nëntor, 2021

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili e quan sekretarin e përgjithshëm të PD Gazment Bardhi mashtrues. Në një postim në “Facebook”, Vasili i përgjigjet Bardhit për çështjen e regjistrimit në zgjedhjet e 13 tetorit 2019 të Partisë Demokratike, i cili deklaroi sot se nuk ishte PD që nuk u regjistrua, por nuk pati proces nga KQZ. Ai thotë se ishte PD që bojkotoi bashkë me 4 anëtarë të PS në KQZ pasi mbledhja për shqyrtimin e kërkesës së tre partive opozitare u thirr nga KQZ.

“Gazi mashtroi përsëri, si gjithmonë! Faktet janë aty dhe s’ka mashtrim, që i lëviz nga vendi. PD refuzoi të firmoste kërkesën me shkrim të partive opozitare për zgjedhjet e 13 tetorit, zgjedhje, që i kërkoi po vetë Lulzim Basha.

PD i bojkotoi zgjedhjet e 13 tetorit bashkë me anëtarët rilindas në KQZ.

Kërkesa e tre partive opozitare për organizimin e zgjedhjeve të 13 tetorit si dhe kërkesa për regjistrim u bënë me shkrim sipas ligjit.

KQZ thirri edhe mbledhjen me rend dite shqyrtimin e kërkesës të tre partive të opozitës Republikane, Agrare dhe LSI.

Por bojkotuan anëtarët e rilindjes në KQZ siç bojkotoi dhe PD, që nuk iu bashkua kërkesës së tre partive që ishin pjesë e Frontit opozitar sipas marrëveshjes së prillit 2019.

Çdo mashtrim vetëm sa provon shumë e më shumë se sa i madh është pazari i dhënies me koncesion të PD nga Basha Edi Ramës.

P.S.Për të freskuar memorien e mashtruesve ja dhe VIDEO që tregon se si KQZ u mblodh për kërkesën e tre partive për zgjedhjet e 13 tetorit, por u bojkotua nga rilindasit”, deklaron Vasili.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka mohuar sot faktin se PD bojkotoi zgjedhjet e 13 tetorit të dekretuara nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Pas deklaratës së Kreut të Shtetit një ditë më parë, Bardhi tha për Abc News se ishte KQZ që refuzoi të hapte procedurën për regjistrimin e kandidatëve dhe partive politike dhe se një parti politike serioze nuk mund të regjistrohet në bulevard.

Ballkanweb