Basha ngre tonet: – Kriminale si sillet me shqiptarët palaçoja, fryhet si gjel, kakaris si pulë
Basha ngre tonet: – Kriminale si sillet me shqiptarët palaçoja, fryhet si gjel, kakaris si pulë
14/10/20
Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë sot sërish para mediave duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për sjellje kriminale me qytetarët shqiptarë, teksa ka sjellë një panoramë të zymtë të situatës ekonomike e sociale në vend.
Basha tha se “vendi është në qorrsokak dhe drejt greminës” ndërsa i kërkoi mediave të nxjerrin me zë e figurë premtimin e kryeministrit Edi Rama për paketën e tretë të ndihmës për shkak të pandemisë por që nuk u dha kurrë.
“Vendi në qorrsokak drejt greminës. E vetmja mënyrë për ta frenuar të marrim ato masa që po marrin me efektivitet vendet në rajon. Masa e vetme e bërjes apo jo të detyrës është a i ke marrë këto masa dhe çfarë efekti kanë dhënë. Situata nuk do ishte kështu nëse do ishin bërë ato që kemi thënë ne. Prej marsit i kërkoj 2500 testime në ditë. Plotësisht e mundur për të përballuar me vërtetësi përmasat e vërteta të pandemisë. Kjo sjell obligimin tjetër, gjurmimin e rasteve.
Kjo është detyra e qeverisë jo të dalin si sharlatanë, vëre maskën këtu mos e vër aty. Kjo është të lash duart. Dje kemi arritur një rekord infektimesh. Sa i përket paketës ekonomike janë premtuar prej muajit maj dhe qershor masa shtesë, paketa e tretë. E keni me zë e figurë, nxirrjani palaços siç ia nxjerrim ne. Është detyrë e medias. Është dhe për disa koha ka çelësat. Përballeni me shqiptarët kur thotë kemi bërë gati paketën e tretë, ndërkohë që vendet e tjera kanë bërë paketën e katërt.
Është kriminale mënyra se si sillet me shqiptarët, me mjekët e infermierët. Një kriminel pret të vijë më e keqja për të nxjerrë me pikatore. Ky është plani ta lë të keqen deri në fund pastaj të nxjerr pikatoren. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, nuk është keqqeverisje, është krim”, deklaroi Basha.
Basha është ndalur edhe te vendosja e maskës me detyrim, sipas të cilit nuk ka një masë reale. Duke komentuar masën e qeverisë që hyn në fuqi nga nesër, Basha sulmoi Ramën duke iu drejtuar: “I ka braktisur qytetarët. Pavarësissht se fryhet si gjel dhe kakaris si pulë, pasi tjetër gjë premton dhe tjetër gjë bën“.