Basha pranon se PD e vules ndodhet para sfidave të mëdha. – Bën thirrje për bashkim
18 Nentor 2023
Nga Shkodra, kreu i Partisë Demokratike te vules, Lulzim Basha vendosi dje të thyejë heshtjen politike, duke bërë thirrje për bashkim të demokratëve.
“Koha që po përjeton kjo forcë politike nuk është e mirë dhe është momenti të ngrihen mburojat e bashkimit përballë instrumenteve të përçarjes dhe urrejtjes”, deklaroi Basha. “Përballë bashkimit qëndron ndasia… është reflektim edhe për ata që janë vendimmarrës. të bashkohemi për ta çuar Shqipërinë përpara. Vij para jush me vetëdijen se PD ka sfida të mëdha para, por ajo është produkti i dashurisë për kombin”, deklaroi kryedemokrati dje.
Mes të tjerash, kryetari i PD u ndal edhe tek bashkëjetesa fetare si një model kulturor në gjithë Shqipërinë. “Pavarësisht besimeve dhe prejardhjes, pavarësisht rreziqeve dhe frikës, ata njerëz u bashkuan për t’i dhënë fund një diktature, që pak muaj më vonë, edhe për meritë të tyre, do t’i linte vend zhvillimeve demokratike.
Sot, ky është një mësim i vlefshëm për këdo që kërkon ripërtëritjen e vlerave që me shumë mund dhe sakrifica u fituan 33 vite më parë. Ndaj dhe përgjigjja e vetme kalon përmes besimit, bashkimit dhe vlerave. Sot, 33 vite më parë, e përgjithmonë”, nënvizoi kryetari i PD, Lulzim Basha.
Ndërkohë theksojmë se deklaratën Basha e bëri gjatë nderimit të dy figurave të klerit, Dom Mikel Koliqi dhe Hafiz Sabri Koçi në qytetin e Shkodrës nga “Lëvizja Studentët e Dhjetorit 1990” me titullin “Lis i Artë i Kombit”. Nderimi i tyre erdhi në këtë nëntor, muaj në të cilin nga Shkodra nisi rihapja e kishave dhe xhamive në 4, 11 dhe 16 nëntor 1990 pas afro 23 vitesh ateizëm që sistemi komunist mbolli në këtë vend.
Gazeta Sot