Basha refuzon ftesën e Ramës: Me kë të flasësh? Me Dakon, Rrajën…
Basha refuzon ftesën e Ramës: Me kë të flasësh? Me Dakon, Rrajën…
2, mars 2019.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha refuzoi të shtunën ftesën e hapur të Kryeministrit Edi Rama për dialog.
“Demokraci fasadë, parlament që vjedh qytetarët dhe nxjerr kriminelët nga burgu nuk do të ketë më. Ndaj hapi i vetëm për ta çuar Shqipërinë në Europë është që t’i japim fund një qeverie të lidhur me krimin, të kemi një parlament të zgjedhur nga populli, një qeveri që është përgjegjëse para qytetarëve dhe jo para kriminelëve. Ndaj takimi i vetëm që unë kam është ai me qindra dhe mijëra shqiptarë me datë 16 Mars në protestën e madhe kombëtare, natyrisht edhe takime të tjera para Asamblesë së Krimit që ka uzurpuar ndërtesën e Kuvendit”, tha Basha.
Një ditë më parë, nga Saimiti i Diasporës, kreu i qeverisë Edi Rama i bëri ftesë publike për dialog kryedemokratit Basha duke i thënë: Kur do të flasim?
Por 24 orë më vonë, Basha iu përgjigj: “Me kë të dialogësh? Me Rrajën? Me Qyrbjen? Me kë? Apo me Vangjush Dakon? Nuk bëhet fjalë vetëm për një përplasje mes partish, bëhet fjalë për fatin e shqiptarëve. Mund të vazhdohet më kështu? Me një qeveri të kapur në flagrancë duke vjedhur votat?”
Kreu i opozitës tha se vendi është në emergjencë kombëtare dhe ka nevojë për zgjidhje që t’i shërbejë interesave të qytetarëve dhe jo për një tango që të mbajë akoma në pushtet një grusht politikanësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
o.j/dita