3 Shkurt 2024

Lulzim Basha, “ekselenti” i opozitës, që ka regjistruar vetëm fitore të jashtëzakonshme dhe ka arritur të dalë në çdo garë i pari nga fundi, po shikon ëndrra me karrige.

Luli, ëndrrat që sheh edhe me sy hapur ka nisur, prej gati një viti, t’ja recitojë ushtarëve të tij, të cilët me ëndje e dëgjojnë dhe e besojnë.

Dhe ashtu si Don Kishoti, Basha beson se po bën një betejë për t’u bërë kryeministër.

Dhe pikërisht si kryeministër, Luli ka dalë sot dhe ka folur para të rinjve.

“Qeveria e ardhshme shqiptare do të jetë në krah të të rinjve me një politik e cila përmblidhet me këto fjalë: paraja ndjek studentin, paraja ndjek të rinjtë. Çdo qindarkë që do të shpenzohet për arsimin do të ketë këtë parim: paraja ndjek studentin. Investimi numër një e qeverisë së ardhshme do të jetë e ardhmja, do të jenë të rinjtë, do të jenë studentët shqiptarë.”, ka thënë Basha.

Ai ka deklaruar se Shqipëria po mbahet peng nga zombi dhe mumje, por ka premtuar se do t’i rrëzojë ato.

“Udhëkryqi është tension mes një grushti zombish, mumiesh që duan ta mbajnë Shqipërinë peng, një ekuacion që nuk i prish më shumë sesa rinia. Një Shqipëri pa rini, me rini kokëulur, të demotivuar që i ka sytë nga largimi, është një rini që nuk e kërcënon pushtetitin e tij dhe vendi ka arritur në një pikë kritike.

Sonte nga kjo sallë i japim një mesazh rinisë kudo ndodhen, se kanë në dispozicionin e tyre një platformë për të çuar përpara betejën e rinisë dhe kjo është platforma e PD-së. Ejani dhe bëjeni tuajën këtë parti, këtë platformë. Udhëkryqi që jemi gjendur në një kohë kaq të gjatë duhet të zgjidhet në favor të të rinjve shqiptare”, ka theksuar Luli.

CNA