Basha takim me mbështetës në Sarandë: Vettingu i politikanëve është mënyra për të ndalur kapjen e shtetit, pas legalizimit të vjedhjes përmes inceneratorëve, tenderave dhe…
23 Korrik 2023
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha i vetshkarkuar dhe dorehequr ka zhvilluar një takim me mbështetës në qytetin e Sarandës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Basha përmes një reagimi në Facebook, ku ka ndarë edhe pamje nga takimi.
Në reagimin e tij, Basha thotë se e vetmja mënyrë për të ndarë politikën nga krimi dhe korrupsioni është Vettigu në politikë.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Partia Demokratike do t’i prijë një aleance gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë.
Reagimi i plotë:
Sot Shqipëria e ka nevojë jetike pastrimin e politikës, ndarjen e saj me krimin dhe largimin nga sistemi i politikanëve të korruptuar. Vetting-u i politikanëve është edhe mënyra për të çrrënjosur modelin e baltosjes, duke treguar me fakte se kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, kush mbron interesat e oligarkëve e kush jo. Nuk është e lehtë, por është dëshmia e parë e cila ndan ata që kanë frikë nga vetting-u, me ata që s’kanë asgjë për të fshehur.
Bashkë me hapjen e listave, ku deputetët i zgjedhin qytetarët dhe jo kryetari, kjo është garancia për krijimin e një qeverie dhe Parlamenti që do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Dhe për të ndalur njëherë e mirë kapjen e shtetit, që siç po ndodh sot, pas legalizimit të vjedhjes përmes Inceneratorëve, check-up, tenderave dhe koncesioneve korruptive po i hap rrugë legjitimimit të kanabisit për llogari të grupeve kriminale, apo “burgosjes” për studentët e mjekësisë me ligje anti-kushtetuese.
Partia Demokratike do t’i prijë një aleance gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për një projekt ndryshimi që nis me adresimin e çështjeve që mbajnë të bllokuar sistemin politik dhe atë ekonomik:
– Listat e hapura;
-Vetting-un në politikë;
-Kufizimin e mandateve;
-Votën e diasporës;
– Zgjedhjen e Presidentit nga populli.