15 Prill 2025

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka vijuar denoncimet e tij ndaj veprimeve të Bashkisë Tiranë, të cilat, sipas tij, përbëjnë shkelje të ligjit elektoral në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi ka publikuar foto të një rruge lagjeje në Tiranë, ku shihet se po hidhet një shtresë e vetme asfalti, pa praninë e ndonjë projekti teknik apo vendimi zyrtar nga bashkia

Ai e ka quajtur këtë ndërhyrje si një “make up elektoral” skadent, që i bëhet qytetit për qëllime elektorale, ndërkohë që sipas tij, banorët e kryeqytetit janë përballur për 12 vite me infrastrukturë të degraduar.

“Asfalti elektoral si make up skadent. Këto janë rrugët që ‘shtron’ Bashkia Tiranë. Pa asnjë projekt dhe vendim, vetëm një shtresë asfalti elektoral, fyese për çdo qytetar që për 12 vite jeton me përditshmërinë e infrastrukturës skadente”, ka shkruar Këlliçi.

Në fund të mesazhit të tij, ai u bën thirrje qytetarëve që më 11 maj të reflektojnë dhe të ndëshkojnë abuzimin, duke i thënë “jo” keqmenaxhimit të taksave dhe besimit të dhënë për qeverisjen lokale.