Bashkim Kozeli: Publiku e do dramën shqipe, por dramaturgët kanë mbetur si lypsa në dyert e teatrit…

Veprat e dramaturgut Bashkim Kozeli nuk kanë munguar në skenat teatrore. Dekada me krijimtarinë në teatër, por dhe me skenarin e filmit, autori Bashkim Kozeli tregon se sot mungon një politikë kombëtare për veprat. Sipas tij kjo do të ndihmonte në zhvillimin e krijimtarisë, por sot nuk stimulohen autorët shqiptarë. Në intervistën për “SOT” dramaturgu Bashkim Kozeli pohon se dikur krijimtaria shqiptare nxitej shumë dhe kishte tetë trupa teatrore që ishin aktive. Vepra të ndryshme shqiptare ishin në skena, dhe çdo teatër i kushtonte vëmendje dramës shqipe. Sot kjo mungon dhe sipas tij autorët shqiptarë kur shkojnë në dyert e teatrove nuk i qas kush. Për dramaturgun e njohur kjo është e dhimbshme dhe sipas tij duhet menduar që të kemi në teatro drama që të ngrenë dinjitet e kombit tonë, të trajtojnë jetën dhe problemet shqiptare.  Pjesë e intervistës me autorin Bashkim Kozeli është dhe puna gjatë kësaj kohe me filmin dokumentar. Ai tregon se pas filmit dokumentar kushtuar regjisorit Mihal Luarasi “Nderi i Kombit”, po vijon punën për një tjetër skenar filmi kushtuar regjisorit të njohur Pirro Mani.

-Si po kalojnë këto ditë për ju me krijimatrinë?

Unë punoj me krijimtarinë time. Kohët e fundit u përurua dhe një dokumentar realizim me RTSH që i kushtohej regjisorit Mihal Luarasi “Nderi i Kombit”. Është një nga personalitet  shqiptare që për fat të keq u përcoll me pak veta dhe këta që po bëjnë sot kaq zhurmë dhe pse kam respekt për punë e djersën e tyre, por si tani që janë bërë grup dhe e mbrojnë teatrin ashtu duhej të solidarizoheshin dhe me hidhërimin e një personaliteti si Mihal Luarasi. Në raste të tilla është për të ardhur keq që ne na mungon kjo. Ne duhet të kemi solidaritet shpirtëror dhe të mbështesim njëri- tjetrin. Tani unë jam duke shkruar skenarin për një film dokumentar kushtuar figurës së regjisorit Pirro Mani. Për këtë dokumentar po punoj tani dhe pse vera është e nxehtë. Besoj që nga shtatori do ta kem përfunduar skenarin e filmit dokumentar. Unë kam komunikuar dhe me Pirro Manin që më ka sjellë dhe një material mbi krijimtarinë e tij të gjerë, por që do ta shoh më vonë dhe i kam premtuar që unë po punoj për dokumentarin në fillim. Edhe ky film dokumentar do të realizohet me RTSH.

-Drama dhe skenari i filmit ju kanë shoqëruar gjatë gjithë aktivitetit tuaj…

Drama nga skenari i filmit ndryshon shumë. Një skenar filmi ka shumë mjete shprehëse, që e lehtësojnë punën, ndërsa drama është koncentrat. Drama është shumë e ngjeshur. Mua për dramën e Ismail Qemalit më janë dashur vite, ndërsa për një serial televiziv si ai me titull “Dhimbja e dashurisë” mua m’u deshën vetëm tre muaj. Drama kërkon fjalë të ngjeshura dhe vepruese.

-Mungon drama shqipe sot në skena dhe kjo pohohet jo pak nga autorët shqiptarë. Çfarë mund të na thoni për krijimtarinë sot?

Dikur nxitej krijimtaria në dramaturgjinë shqiptare. Kishte tetë trupa teatrosh që ishin shumë aktive. Kishim në program jo vetëm pjesë të huaja, por me patjetër kishin dhe vepra shqiptare teatrot. Ne ishim të llastuar, sepse dramaturgët kishin kërkesa. Pa bashkëpunim të regjisorit me tetarin nuk bëhet dot drama shqipe. Atë kohë ishin vite të tjera, ndërsa sot nuk të qas njeri. Ne si autorë shkojmë me çanta si lypsa në teatër dhe na kthejnë kurrizin, sepse e kanë e kanë mendjen të vënë pjesë të huaja të dramaturgjisë në skena. Publiku kërkon vepra shqiptare, sepse aty ka hallet e tij, gëzimet e tij, ka jetën e tij, por e keqja është që tek ne edhe në pjesë të huaja marrim drama dhe tragjedi. Nuk është puna tek veprat klasike të autorëve të mëdhenj dhe bën shumë mirë teatri që i sjell në skenë, por problemi qëndron për tema të jetës sonë. Ne tani kemi nevojë për drama që të ngenë dinjitetin e kombit. Ne kemi nevojë si popull të ngremë dinjitetin tonë, kjo është krijimtaria që kërkohet sot. Duhen tema të mëdha në veprën shqiptare. Por dhe këtu duhet një politikë kombëtare,  që mungon në krijimtarinë tonë. Duhet të vendoset ligjërisht kriteri që sa duhet të vendosë drama shqiptare dhe të huaja teatri brenda një viti. Kjo do të zgjidhte shumë problemin që mungon drama shqipe. Deri tani kjo ka munguar dhe kjo duhet rregulluar me ligj nga qeveria. Ne na mungon dhe një festival i dramës shqipe, që mendoj se duhet të zhvillohet një herë në dy vjet. Kjo do ta ndihmonte shumë në krijimtarinë e dramës shqiptare. Por sot është e dhimbshme, sepse nuk të qas njeri në teatër. Madje me profesor Mihal Luarasin kishim një dramë “Vajza e Gjeneralit” për ta vënë në skenë, por nuk mundi dot dhe e kishte këtë brengë. Drama është mielli, dramën e bën dramaturgu dhe jo regjisori. Një tjetër problem është dhe shkolla për krijimtarinë shqiptare, që nuk ka shumë vëmendje.

-Çfarë kërkoni për shkollën?

Nëse në shkolla futet recitimi, pjesë teatrore që të luhen nga nxënësit do të sjellë shumë vëmendje. Në Greqi janë me qindra teatro dhe që në shkollë fillore kultivohet ky lloj arti. Pse të mos bashkëpunojnë Ministria e Kulturës me Ministrinë e Arsimit, që të futet kjo në shkolla dhe të zbulohen dhe talentet? E keqja tjetër është dhe Akademia e Arteve, që dikur kishte një trupë me pedagogë dhe studentë që jepnin shfaqje dhe konkurronin dhe me trupën e teatrit, sot nuk është si dikur. Tani është shuar fare. Shqetësuese është dhe regjisura. Asnjë regjisor nuk ka vajtur të shkollohet jashtë për regjisurë dhe të vijë këtu. Ne marrim të huajt dhe nuk çojmë regjisorët tanë jashtë. Teatri Kombëtar duhet të ketë stabël 2-3 regjisorë si dhe të ketë 50 aktorë në trupën e tij, është pronë shtetërore dhe jo private. Teatri Kombëtar duhet të fuqizohet patjetër, jo të bëjë një kontratë me artistin për 6 muaj, që më pas ai ikën.

-Drama juaj e parë “Shokët” është vënë në skenë më 1968 në Vlorë. Si ka qenë bashkëpunimi juaj me regjisorët për veprat dhe si punohet sot?

Unë kam punuar me regjisorë të shquar me veprat e mia në skenat e teatrove.  Dy herë bashkëpunim me regjisorin Pirro Mani, bashkëpunime me Pandi Stillu, me Dhimitër Orgockën, Pirro Savën, Pjetër Gjokën, etj, dhe të gjithë këta bënin një platformë regjisoriale ku shpërthehej ideja e veprës, konflikti, kompozimi, biografia e aktorit, dhe kur vinin provat në tavolinë ishte gjithçka e qartë. Por sot kjo mungon. Në ato vite punohej 2-3 muaj për një vepër, ndërsa sot më para jepet në skenë se sa mësohet vepra. Por ky është një problem i madh për cilësinë. Dua të përmend këtu veprën “Tri motrat”, që vuri ë skenë regjisori Hervin Çuli, që për mua ishte shfaqje e shkëlqyer, sepse ai punoi disa muaj me pjesën. Më vjen keq që ai është drejtor dhe jo regjisor. Regjisorët mungojnë tek ne. Ne i kemi me pakicë regjisorët sot në teatër. Unë jam i jashtëm dhe ua qaj hallin aktorëve të rinj, që mbetën rrugëve, sepse nuk kanë mundësi të mbahen në teatër, por janë me kontrata. Unë nuk e shoh cilësinë teatrit sot me këtë formë.

-Pjesë e aktivitetit tuaj është dhe skenari i filmit. Ku është sot kinemaja për ju?

Gjendja e kinematografisë sot është e mjerueshme njëlloj si teatri.

-Pse?

Edhe nëse sot realizohet një film përmes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ( QKK) kjo është dhe në bashkëpunim me të huajt. Filmi kërkon miliona sot, dhe ne nuk kemi mundësi. Nuk mundemi dot të përballojmë realizimin e filmave sot. Por e keqja është që si në teatër dhe në kinema ndahen nga pak buxhete. Më mirë jep buxhet për realizimin e një filmi si duhet se sa shpërndaj shumë, sepse bie dhe cilësia e veprës. E keqja është që dhe filmat sot që bëhen nga QKK nuk i sheh publiku. Ku ti shohë? Ku shfaqen? Sot harxhohen miliona dhe filmat nuk e dimë ku shfaqen pas kinemasë. Filmi dhe drama bëhet për publikun dhe nëse ai nuk e shikon pse bëhen? Pse harxhohen para? Këtu duhet gjetur një zgjidhje kjo duhet menduar nga shteti. Mua më vjen shumë keq dhe nga kjo jam i lënduar, sepse nuk po shikoj një mënyrë zgjidhje. Nuk ka pikë përgjegjësie nga ata që drejtojnë në institucione, në ministri, sepse nuk iu dhemb ajo që është kombëtare. Ne duhet të punojmë edhe për pjesët e teatrit që mban gjallë krenarinë tonë kombëtare. Nëse nuk bëhet kjo ka vdekur teatri. Pse quhet tetarë kombëtar? Që kur u bë kombëtar është ç’kombëtarizuar. Vënë një vepër sa për të kaluar rradhën dhe e mendojnë se u plotësua, por jo. Kjo që ndodh është një ofendim i madh për ne autorët shqiptarë.

Intervistoi: Julia Vrapi