Bashkimi i PD bëhet në Kuvendin e 30 prillit …

22 MARS 2022

Deputeti i PD Belind Këlliçi, thotë se rruga e vetme e bashkimit të demokratëve është Kuvendi Kombëtar i 30 prillit, ku mund të jenë dhe kritikët e Berishës. Sipas tij, edhe Basha mund të kandidojë nëse mendon se mund të fitojë me votë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

“E vetmja mënyrë e bashkimit të shkojmë në një Kuvend më 30 prill ku të marrin pjesë dhe kritikët e Berishës nga A tek ZH të gjithë demokratët. Të bëhet një proces zgjedhor model, të zgjidhen strukturat e reja, të ketë një proces transparent dhe kush ka vota më shumë të udhëheq PD. Nuk ka shkencë këtu”, u shpreh Këlliçi në “Opinion”. I pyetur nëse Basha mund të garojë, ai shtoi “Patjetër, të vijë të garojë, nuk ka problem.”

Ndërkohë, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se nuk beson që bashkimi mekanik i partisë do të çonte në një unifikim të saj. Ajo u shpreh se kjo forcë ka kaluar në degradim dhe është momenti që të bëhet një analizë e thellë mbi shkaqet.

“Nuk hyj në kategorinë e njerëzve që mendojnë se bashkimi mekanik mund të çojë në unifikim. Së dyti para bashkimit duhet të ketë një analizë të thellë, të sinqertë, të besueshme, Duhet të fillojmë të pyesim veten se ku ishim ne gjatë 10 viteve dhe pse arritëm në këtë pikë? Duhet të biem dakord në diçka. Kjo forcë ka kaluar në degradim, degradim dhe shkretim vlerash brenda vitesh.

Nuk ka ardhur për një ditë, ka ardhur për një periudhë kur të tjerët pranë Bashës heshtnin. Dhe nuk mund të kalojë duke kërkuar falje. Secili të bëjë një mea culpa, por edhe një analizë. Në këtë ngjarje duhet të distancohen nga fenomeni i klientelizimit apo i zhdukjes së opozitarizimit për shkak të karrierës apo pasurisë së dikujt, apo edhe të kryetarit. Pa votë nuk rikthehet legjitimiteti”, tha Jozefina Topalli.

Gazeta Sot