Batërdi në pyjet e Fushë-Arrëzit, priten afro 200 drurë pishe. –

Nga: Armir Mehaj

Pyjet në afërsi të fshatit Lumbardh në njësinë administrative Qafë Mali në bashkinë e Fushë-Arrëzit po përjetojnë sulmin më të rëndë nga dora e njeriut në këto 25 vite.

Në parcelat 21 dhe 22 të ekonomisë pyjore Lumzi ditët e fundit ka ndodhur një batërdi e vërtetë, ndërsa të gjithë ata që paguhen për mbrojtjen e pyjeve heshtin përballë sfidës që i është bërë shtetit në Marpjetraj të Fushë-Arrëzit.

Afro 200 drurë pishe dhe bredhi janë prerë brutalisht duke zhveshur zonën teksa askush nuk ka reaguar përballë krimit mjedisor edhe pse bashkia e Fushë-Arrëzit ka dhjetëra inspektorë që paguhen për mbrojtjen e pyjeve, e madje zona në fjalë ka inspektorin e saj i cili në këtë rast dëshmohet qartë se nuk ka shkuar për ditë të tëra në vendin e tij të punës ose në rastin më të keq ka bashkëpunuar vetë me keqbërësit.

Shkatërrimi masiv është dëshmi e qartë edhe e mos-funksionimit të policisë së shtetit, e cila ka shkrirë thuajse plotësisht qarkullimin rrugor në Pukë duke lënë në 222 km rrugë të kësaj zone me dy punonjës policie, çfarë i ka lënë dorë të lirë shkatërrimit masiv të pyjeve më keq se në ‘97 kur shteti nuk funksiononte.

Lidhur me këtë situatë ne u interesuam dhe pranë inspektoratit pyjor i cili hedh topin e përgjegjësisë tek inspektoret e pyjeve të bashkisë Fushë-Arrëz të cilës nuk kanë njoftuar për dëmin masiv, teksa ngjarja mbetet pa autor edhe pse për këtë dëmtim janë dashur disa ditë, është bërë transporti me automjet drejt një gatrri në afërsi të Fushë Arrëzit e më tej janë transportuar sërish nga aty drejt destinacionit përfundimtar.

Inspektorati i pyjeve bëri të ditur se për rastin në fjalë po përgatitet një kallëzim penal për inspektorin e zonës, i cili duket qartazi se ka shpërdoruar detyrën.

Dëme si ky i Marpjetrajve janë shënuar dhe në zonën e Iballës, por përkundër kësaj situate as strukturat e mbrojtjes së pyjeve, as Policia e Shtetit nuk kanë reaguar duke shkaktuar dyshime të forta tek komuniteti i zonës veriore për lidhje e tyre abuzive me keqbërësit që po shkatërrojnë pamëshirshëm pyjet e mbetura të Fushë-Arrëzit.

(BalkanWeb)