“Baton, të paska turbulluar pak deklarata e Erionit”
1 Maji 2024
…”Ai që ka ndërtuar pallat në mes të Bllokut e ka shumë kollaj të bëjë emision, se ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të Bllokut, duke ia vjedhur tokën e vet motrave Saleziane”…
Deklarata e sotme e kryebashkiakut Erion Veliaj që denonconte analistë për vendosje gjobash për favore personale ka trazuar median. Gatë emisionit “Opinion” Blendi Feziu i tërhoqi vëmendjen analistit Baton Haxhiu që ishte duke folur jashtë teme.
“Të paska turbulluar pak deklarata e Veliajt më duket”, iu drejtua moderator Batonit.
Më herët , në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj iu përgjigj disa analistëve të televizioneve opozitare, lidhur me akuzat kundër tij.
Ai tha se secili prej analistëve që e ka sulmuar, nuk ka shqetësimin e qytetarëve, por të favoreve personale, që nuk u bëhen nga Bashkia e Tiranës.
“Secili prej analistëve ka kërkuar diçka në Bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar Ben Rreli për atë portalin, që nuk jepet leje në Kopshtin Zoologjik; e di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme, dhe kur s’e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohin akoma më me përbuzje.
Prandaj vlerësohet Tirana edhe në Kosovë, se njerëzit më të poshtër, që ata i kanë përzënë, nuk qasen në Bashkinë e Tiranës dhe nuk kanë pikë aksesi. Ai që ka ndërtuar pallat në mes të Bllokut e ka shumë kollaj të bëjë emision, se ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të Bllokut, duke ia vjedhur tokën e vet motrave Saleziane.
Asnjë të mos ketë asnjë iluzon, secili prej atyre që është aty përballë ka interesin e tij, ka fundshpinën e vet interes, nuk i qan halli as për pastrimin, as për ndërtimin e shkollave, por ka vetëm një llogari. Unë llogarinë e kam me qytetarët e Tiranës dhe unë jam krenar që shumica dërrmuese e llumit të analistëve, që nuk kanë qenë mentori i askujt, që nuk i kanë thënë bravo askujt, që nuk kanë rritur asnjë talent të ri edhe t’i thonë ‘ec përpara, shkëlqe’, ‘jam krenar për ty’.
Por përkundrazi, sa shohin dikë, i keni parë, janë burra nga 55-60-65-vjeç, që rrinë natën në televizione, sikur janë te ‘peshqirat’, sikur shikojnë Pornhub, dhe të eksituar si ata pitbullët, shqyejnë çdo gjë të re që u kalon përpara. Jam krenar për punët dhe jam krenar për të gjithë llumin e bashkuar kundër nesh, se njerëzit e drejtë vlerësohen jo vetëm çfarë punësh kanë bërë, por edhe sa kanë frymëzuar armiqtë dhe fundërrinat e këtij qyteti të bëhen bashkë si kurrë më përpara.
Ata kanë harruar gjithçka kanë thënë për njeri-tjetrin, vetëm të bllokohet puna, vetëm të bllokohet e mira, vetëm të bllokohet progresi”, tha Veliaj.
Gazeta Dita