BE do të ndërtojë 123 km autostradë në Ballkan për 1.2 mld euro. – Shqipëria shpenzon 1.3 mld euro për 20 km
10 Qershor 2022
Bashkimi Europian nëpërmjet WBIF (një platformë e përbashkët financiare e Komisionit Europian, organizatave financiare, shteteve anëtare të BE-së, që synon investimet e sektorëve publikë dhe privatë në rajonin e Ballkanit) ka publikuar së fundmi një listë projektesh prioritare që janë miratuar për financim në Ballkan, ndër të cilat 6 projekte autostradash të përqendruara kryesisht në segmentet e Autostradës së Mesdheut (adriatiko-joniane) ku përfshihet edhe Shqipëria dhe një projekt tjetër që ka të bëjë me vijimësinë e rrugës së Kombit nga Prishtina në Merdarë (Serbi) e pagëzuar si Autostrada e Paqes, (shiko tabelen bashkengjitur).
Sipas dokumentit ne linkun https://www.wbif.eu/storage/app/media/News/2022%20Endorsed%20flagships%20February/WBIF%202022%20Endorsed%20Flagship%20Projects%2024.02.22.pdf) gjatësia e autostradave që do të financohen nga BE në Ballkan është gjithsej 123 kilometër, ndërsa kosto totale e ndërtimit është 1,2 miliardë euro ose rreth 10 mln euro për kilometër. Një nga këto segmente është në Shqipëri pjesë e “Autostradës Adriatiko Joniane”.
Bëhet fjalë për by-passin e Tiranës i cili ka një gjatësi 21.5 kilometër dhe do financohet me 190.6 milionë euro ose mesatarisht 8.9 milionë euro për kilometër.
Financimi do të kryhet nga kompania ndërsa duket se shlyerja do të bëhet nga taksat që do të paguajnë përdoruesit e rrugës.
Por në vitin 2019 ku kontrata e parë konsensionare ishte në fuqi ministria e Financave në tabelat e buxhetit të shtetit e kontabilizoi ndërtimin e këtij segmenti me 45 miliardë lekë ose 372 milionë euro ose 18.6 milionë euro për kilometër.
Ndërsa një projekt i ngjashëm nga Prishtina në Merdarë do të kushtojë vetëm 7 milionë euro me fondet e BE. Studimi i fisibilitetit për Autostradën Adriatiko- Joniane që u porosit nga qeveria shqiptare nxori një kosto 160 milionë euro për ndërtimin e segmentit Thumanë -Kashar.
Kontrata koncensionare, Thumanë -Kashar siguron ndërtimin dhe mirëmbajtjen e 20 kilometrave në 36 vitet në vijim me vlerë 1,3 miliardë euro.
Sakaq qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e akseve kombëtare të rrugëve harxhon një shumë prej rreth 1.5-2.5 mld lekë (12-20 mln euro)në vit. Psh Gjatë vitit 2019, buxheti i ARRSH-së për mirëmbajtjen ekzekutoi 20.6 milionë euro, për afro 2.200 km rrugë.
Sikur i gjithë ky fond të përdorej për mirëmbajtjen e vetëm 20 kilometrat e Thumanë Kashar, do të duhej një fond rreth 600 milionë euro për 35 vitet e kontratës. Vlera e lartë e ndërtimit dhe mirëmbajtjes do të përkthehet si një vlerë e lartë pagesë në tarifat e kalimit të rrugës, që do të vendosen në aks.
Kosto e një km rrugë për kontratën koncensionare, Thumanë -Kashar, përfshirë dhe mirëmbajtjen, do tu kushtojë qytetarëve shqiptarë 60 milionë euro për një km. Ndërkohë, qeveria njoftoi dje se një urë me vlerë 9 milionë euro,, e gjatë 310 metra do të shkurtojë distancën mes Vleipojës dhe Ulqinit!
Kostot për njësi me fonde të huaja, shumë pak se me fonde buxhetore
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe ajo e infrastrukturës tregojnë se, ndër vite ka një diferencë të lartë të kostove të punimeve në rrugë me financim të huaj, në krahasim me financimet e brendshme.
Në mënyrë sistematike, kostot për njësi (kilometër) me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme. Kjo tendencë vlejti edhe për vitet 2019 dhe 2020.
Një kilometër rrugë e kategorisë B, me financim të brendshëm, kushtoi në vitin 2020 mesatarisht 555 milionë lekë, ndërsa një kategori e tillë me financim të huaj, kushtoi 347 milionë lekë, ose 37% më pak.
Diferenca të mëdha u vunë re edhe në kategorinë C, ku kostoja e një kilometri me financim të brendshëm në vitin 2020 arriti në 667 milionë lekë, ndërsa me financim të huaj, ishte 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak.
Të dhënat mbi kostot për kilometër u dhanë në raportin e Monitorimit të Ministrisë së infrastrukturës.
Krahasimet nuk janë strikte, pasi përfaqësojnë punime në segmente, ose vepra arti që shpesh prodhojnë kosto që ndryshojnë nga viti në vit, për të njëjtën kategori rruge.
Por të dhënat tregojnë një diferencë lineare, gjatë 10 viteve të fundit ku, kosto për njësi me financim të huaj është shumë më e ulët se kosto për njësi me financim të brendshëm.
Sipas të dhënave të Ministrisë së infrastrukturës në “Raportin e Monitorimit 2018”, shpenzimet faktike për ndërtimin e rrugëve ishin rreth 15 miliardë lekë, nga të cilat rreth 9 miliardë lekë financimin i brendshëm dhe 6.3 miliardë lekë financim i huaj. Për të njëjtën kategori rruge, kosto e financimit me fonde të brendshme është 10 herë më e lartë se me fonde të huaja.
Nga financimi i brendshëm u harxhuan 4.2 miliardë lekë, me të cilat u ndërtuan 28.7 kilometër rrugë të kategorisë C. Kosto për kilometër me fondet e brendshme ishte 146 milionë lekë, ose 1.1 milion euro me kursin aktual të këmbimit. Po për kategorinë C, me fonde të huaja, u harxhuan 205 milionë lekë dhe u ndërtuan 12 kilometra. Kosto për kilometër ishte 17.1 milionë lekë, 136 mijë euro, ose 10 herë më e ulët se me financim të brendshëm.
E njëjta diferencë vlen edhe për kategorinë B. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2018 u investuan 1.7 miliardë lekë, me të cilat u ndërtuan 6.7 kilometra rrugë. Kosto për kilometër ishte 262 milionë lekë, ose 2 milionë euro për kilometër. Kosto për kilometër për të njëjtën kategori rruge me fonde të huaja kushtoi shumë herë më pak. Gjatë vitit 2018 u ndërtuan 89 kilometra rrugë të kategorisë B, me një shumë prej 3.2 miliardë lekësh. Kosto për kilometër ishte 36 milionë lekë ose 294 mijë euro për kilometër.
Nga Monitor.al