13 Shtator 2024

Delegacioni i BE reagon për “Ora News” lidhur me vendimin e Kuvendit për të mos e çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi Sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë (janar 2023).

Na inkurajoi fakti që Kryetarja e Parlamentit, gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, theksoi si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur.

Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, thekson në reagimin e saj BE-ja.

Nga Isa Myzyraj