BE i kërkon Shqipërisë që të kthejë mbrapsht 1 milion euro

Autoritetet shqiptare janë zënë “gafil” nga audituesit e Bashkimit Europian, që kanë gjetur shkelje të procedurave dhe kritereve në tenderimin e fondeve IPA II, që Brukseli jep kryesisht për trajnimin e administratës shtetërore në kuadër të mekanizmave të paraanëtarësimit.

Problematika është gjetur në kontratën “SMEI IV”, një ndër projektet e para ku BE ia beson palës shqiptare menaxhimin, që nga procesi i tenderimit, kontraktimit, menaxhimi financiar dhe ai administrativ i projektit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se kontrata ka të bëjë me trajnimin e administratës në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme. Kontrata është ndërprerë pasi Bashkimi Europian ka refuzuar financimin e saj nga fondet IPA II për shkak të parregullësive të gjetura në procesin e prokurimit.

“Kontrata SMEI IV është një kontratë e ndërprerë si rezultat i parregullësive të konstatuara në procesin e prokurimit nga Delegacioni i BE, gjatë një kontrolli ex-post të kryer. Kjo kontratë u pezullua e me pas ndërpre, pas kontrollit ex-post të kryer nga Delegacioni i BE-së. Delegacioni refuzoi proçedurën e prokurimit të kryer nëCFCU”, thotë KLSH.

CFUC është Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe Donatorëve të tjerë, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Gjatë auditimit të kontratës SMEI IV, zyrtarët e BE-së kanë gjetur shkelje të parimit të konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të ofertave.

“Delegacioni i BE-së refuzoi përfundimisht arsyet e KVO-së (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave) për skualifikimin e 3 kandidatëve. Në qëndrimin e tij përfundimtar, Delegacioni i BE-së i konsideroi vendimet e KVO-së për skualifikimin e firmave në fjalë, të pajustifikuara dhe në shkelje të parimeve të konkurrencës së drejtë dhe të hapur dhe trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit, i konsideroi gjithashtu arbitrare dhe të padrejta”, deklaron KLSH.

Pasi ka refuzuar të gjitha justifikimet e dhëna nga pala shqiptare, delegacioni i BE-së vlerësoi si të papërshtatshme për t’u financuar nga fondet IPA kontratën në fjalë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se anulimi i kësaj kontrate prodhon një zinxhir me pasoja negative të drejtpërdrejta në duke ndikuar në performancën e procesit të trajnimit të stafit të administratës publike. Kjo është njëra anë, por ana tjetër është financiare. BE ka kërkuar brenda 2020 kthimin pas të fondeve të disbursuara për këtë kontratë, që KLSH përllogarit se bëhet fjalë për rreth 1 milionë euro dëm që i bëhet buxhetit të shtetit.

“Në rastet kur kontrata është akorduar jo në linjë me procedurat e kërkuara të prokurimit publik dhe impakti financiar është i njohur, kërkohet rimbursim 100% i vlerës së disbursuar nga BE për këtë kontratë. Edhe pas përpjekjeve të CFCU-së për të ulur normën e cila duhet t’i kthehet BE-së nga fondet e akorduara për kontratën SMEI deri në momentin e pezullimit të saj, qëndrimi aktual i BE-së është se në fund të Programit IPA II për Shqipërinë 2014-2020, kur do të rakordohen llogaritë me shtetin Shqiptar, do të kërkohet rimbursim 100% i vlerës së alokuar nga fondet IPA për këtë kontratë. Konkludohet se parregullsitë e lidhura me procesin e vlerësimit të ofertave në CFCU i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një faturë për t’u paguar me vlerën rreth 1 milion euro, të shtyrë në kohë”, vëren KLSH.

Për të gjitha këto arsye, në njoftimin e 18 majit, Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon masa disiplinore ndaj dy zyrtarëve. KLSH kërkon shkarkimin e Zyrtarit Kombëtar Autorizues, që sipas një vendimit të Këshillit të Ministrave të 2015 është zëvendësministri. Shkarkimi kërkohet për mosnisjen e procesit të inspektimit financiar publik në lidhje me parregullsitë e gjetura nga BE në projektin SMEI.

KLSH kërkon nga Kryeministri Edi Rama edhe shkarkimin e drejtores së Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, pasi ka shkelur ligjin duke refuzuar dhënien e informacionit për KLSH-në./si

23 janar  2020

o.j/dita