PARLAMENTI EUROPIAN PER SHQIPERINE

– 08.06.22
Nga Gazeta Shqiptare

Parlamenti Europian dhe vetë BE-ja janë shprehur disa herë skeptike për projektin e ‘Ballkanit të Hapur’.

Kjo është vënë re edhe në dokumentet e përgatitur nga vetë Parlamenti Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kështu thuhet në tekstin e harmonizuar të raportit për Bosnje-Hercegovinën, i cili do të miratohet nga Parlamenti Evropian më 14 qershor.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të BH-së që të shtojnë përpjekjet për të krijuar një treg të përbashkët rajonal (pjesë e Procesit të Berlinit) në integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor, për të vendosur dhe garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon, i cili është një hap drejt anëtarësimit në BE”, shkruan në dokument.

Theksi vihet në nevojën që të gjitha programet rajonale të bashkëpunimit ekonomik të jenë të pranueshme për të gjashtë vendet, duke vendosur bashkëpunim në baza të barabarta, duke forcuar përafrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së.

Në këtë kontekst, “shprehet kujdes ndaj Iniciativës për Ballkanin e Hapur”, e cila nuk mbulon të gjashtë vendet, dhe thekson besimin se ajo duhet të bazohet në rregullat e BE-së dhe të kontribuojë në proceset integruese të BE-së.

Prandaj, Bashkimi Evropian dëshiron që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e procesit të unifikimit të tregut të përbashkët, përfshirë Kosovën. Nga ana tjetër, Serbia nuk e dëshiron Kosovën në Ballkanin e Hapur, raporton klix.ba.

Ndërkohë, Bosnja nënshkroi anëtarësimin në tregun e përbashkët rajonal gjatë një takimi në Sofje të Bullgarisë, i cili është pjesë e Procesit të Berlinit.

Duhet theksuar se nisma fillestare bazohej në Procesin e Berlinit, i cili duhej të sillte vendet e Ballkanit Perëndimor nën mentorimin e BE-së, por ndërkohë ka lindur ideja “Ballkani i Hapur”.

Deri më tani kësaj nisme i janë bashkuar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Përgatiti: E.D