BE ngre alarmin për personazhet që kanë “zaptuar”… – Nga Samir Mane, Dulaku, Gjikuria, deri te familjarët e ministrave.
30 Shtator 2024
Nga Gazeta Sot.
Bashkimi Evropian konfirmoi në fundjavë me qëndrimin e saj të gjitha faktet që ka publikuar gazeta “SOT” për personazhet, të cilët me firmën e kryeministrit Edi Rama kanë zaptuar dhe grabitur pasuritë publike. Në një takim në Tiranë me gazetarë europianë që mbulojnë çështjet e BE-së, ambasadori Silvio Gonzato, tha më hapur se kurrë se procesi që ka çuar në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë në Shqipëri është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit.
“Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi “ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është jotransparent, veçanërisht në jug të vendit”, tha Gonzato.
Pse BE ngriti alarmin?
Janë të paktën 50 kompani dhe qindra përfitues të cilët janë shpallur investitorë strategjikë nga viti 2016, por në asnjë rast nuk ka pasur investim strategjik. Ligji kontravers i miratuar me debate në vitin 2015, i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Ligji është amenduar disa herë por në asnjë rast nuk ka sjellë investitorë të huaj dhe me potencial. Projektet e miratuar janë kryesisht për oligarkë që kanë ndërtuar vila dhe resorte, ndërsa në shumicën e rasteve nuk ka ende asnjë investim. Edhe, raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë evidentuar se korrupsioni sistemik nuk ka lejuar ardhjen e investitorëve të huaj.
Skandali
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar në disa raste projekte në kushte konflikti interesi apo të biznesmenëve të panjohur dhe të lidhur me krimin, siç ishte rasti i fundit me Pëllumb Gjokën i arrestuar për tentativa vrasjesh. Një projekt i miratuar në kushte flagrance konflikti interesi ishte për familjarët e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ku bashkëshorti dhe kunata e saj, morën statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort në Dhërmi, dosje nën hetim nga SPAK.
Samir Mane, përfituesi më i madh i pronave publike me 1 euro
Përfituesi më i madh si investitor strategjik është oligarku Samir Mane. Kompanitë e tij kanë marrë disa statuse investitori strategjik. Janë disa vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe ValaMare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Por vendimet nuk saktësojnë se sa tokë publike është dhënë në këto raste, kjo pasi disa projekte janë në zhvillim e sipër. Vendimi më i fundit i Ramës për Manen nga përfitimi i këtij ligji është në mars të vitit 2021, ku Rama vendosi që ta jepte portin e Vlorës me koncesion dhe sipërfaqen e truallit prej 57 mijë metrash katrorë me qira simbolike prej 1 Euro për ndërtimin e një marine turistike dhe një kompleksi luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”.
Projekti “Vlora Marina” është një sipërmarrje e përbashkët e biznesmenëve Geront Çela dhe Samir Mane përmes kompanisë së tyre “Marina Residences Vlorë”. Marina Residences Vlorë” synon që të ndërtojë rreth 663 apartamente dhe dy hotele mbi një truallin shtetëror prej 57 mijë metrash katrorë dhe planifikon të arkëtojë dhjetëra milionë euro nga shitja e apartamenteve në dhjetë vitet e ardhshme. Ekspertët e ekonomisë e kritikojnë këtë model sipërmarrjeje, pasi nuk shohin përfitime për buxhetin e shtetit. Kjo dosje është nën hetim nga SPAK, për mënyrën se si Mane e përfitoi këtë investim. Ky është dhe një nga rastet që tregon qartë alarmin që ka ngritur BE për jotransparencë nga këto vendime.
Hetimet e SPAK
SPAK po heton zyrtarët e lartë publik të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës. Prokurorët kanë futur në skaner procedurat e dhënies së koncesionit për portin Marina Vlorë nga ana e Belinda Ballukut, si dhe dhënia e 57 mijë metra katrorë truall në pronësi publike, të cilat dyshohen se janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera, si edhe kanë dëmtuar interesat e shtetit. Nga ana tjetër edhe Ministria e Financave përmes veprimeve dhe mosveprimeve të saj ka lejuar ndryshimin e aksionerëve që kanë fituar tenderin, duke ngritur dyshimet mbi një skemë me përfitues të fshehtë, ku disa kompani hyjnë në garë fiktivisht vetëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara ekonomike, teknike dhe të eksperiencës, por largohen me të përfunduar procedurat konkurruese, duke ia lënë administrimin përfituesit real, i cili në këtë rast është Samir Mane dhe Geront Çela.
Emrat e tjerë në listë
Vëllezërit Dulaku, Artan Dulaku, Adrian Dulaku dhe Genci Dulaku, të njohur në fushën e ndërtimit dhe medias, të cilët kontrollojnë median kombëtare Vizion Plus dhe platformën Tring, janë përfitues të statusit të investitorit strategjik. Ata kanë dy projekte, një në Dhërmi me rreth 14 hektarë tokë dhe në Gjirin e Lalzit me 334 mijë metra katrorë tokë. Në të gjitha rastet plazhi është në përdorim të plotë por mbetet e paqartë se sa pronë në ndërtim është private dhe sa publike, e falur nga shteti. Ndërtuesit e njohur të kompanisë Albstar, Ismailaj janë përfitues të një resorti në ndërtim e sipër në Plazhin e Manastirit në Sarandë. Më vonë, ata dhanë gjysmën e pronësisë për kushëririn e ish ministrit Damian Gjiknuri, Andi Gjiknuri. Projekti ishte në zonë të mbrojtur, në Parkun e Butrintit, por më pas me një vendim të paqartë, qeveria hoqi mbi 80 hektarë të mbrojtur nga ky park ku u hapej mundësia që Manastiri Resort të ndërtohej.
Aktori i humorit Gazment Paja dhe Lulëzim Mehmetaj janë shpallur investitorë strategjik në 133 mijë letra katrorë tokë në Dhërmi për ndërtimin e një resorti. Projekti nuk ka bërë me dije mbi financat e realizimit. Florenc Gjikuria, biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit, ka përfituar dy projekte investimi strategjike në Dhërmi. Në të dyja rastet nuk specifikohet se sa tokë do jepet në përdorim nga shteti. Po ashtu edhe ndërtuesi tjetër Pandeli Carapuli ka përfituar këtë status në Gjilekë. Shumica e projekteve të tjerë janë vetëm ide dhe të paqarta. Mes tyre është ajo Greg Xhillarit dhe grupit zviceran Finsec ltd, të cilët pretendojnë të investojnë miliarda në Kavajë në një zonë prej 400 hektarësh zonë e mbrojtur.
Detajet
Behgjet Pacolli, ish-presidenti 1 mujor i Kosovës dhe miliarderi i Mabetex është shpallur investitor strategjik në Shqipëri. Projekti i Pacollit, Divjaka Resort Albania, e ideuar në 47 hektarë tokë në zonë publike dhe të mbrojtur, nuk ka nisur ende dhe mund të konsiderohet i pamundur. Ky projekt po kalon afatin e nisjes së punimeve ndërsa në fillim u pompua si një investim miliardash por mesa duket mbeti vetëm në letër. Familjarët e ish-ministres së Jashtme, bashkëshorti Artan Gaçi dhe kunata amerikane Taëni Lin Grzych-Sutton, janë ende në listën e përfituesve si investitorë strategjik. Këshilli i Ministrave i dha në përdorim për një periudhë 30-vjeçare një plazh në Dhërmi ngritur akuza për nepotizëm dhe konflikt interesi. Projekte të tjera investimesh në fusha të ndryshme janë të pakta dhe të pazhvilluara si një plantacion bujqësor në Divjakë, apo një termocentral në Korçë me investitorë austriakë.